E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Logjika e barrikadave përfundon më 30 shtator

PRISHTINE - 30 shtatori nuk është data vetëm e shuarjes së strukturave ilegale të sigurisë në veri të vendit, por do të jetë edhe koha kur përfundon logjika e barrikadave, ka thënë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri.

Ajo nuk e ka komentuar deklaratën e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, se OSBE do të ketë rolin e “postierit’ në zgjedhjet lokale.

“Organ kompetent për organizimin e zgjedhjeve është KQZ-ja, ndërsa, OSBE-ja, sipas marrëveshjes për normalizim, është në rolin e lehtësuesit. OSBE-ja është pajtuar që të marr këtë përgjegjësi, si një faktor që do të ndihmoj në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Por, roli i OSBE-së kufizohet vetëm për katër komunat veriore”, - është shprehur ajo për KosovaPress.

Sipas saj, fletëvotimet për veriun pritet të mbajnë logon e shtetit të Kosovës. Ajo i referohet marrëveshjes së 19 prillit, ku ceket se zgjedhjet lokale mbahen sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare.

“Marrëveshja për normalizim dhe plani për zbatim në pikën 11 qartëson që zgjedhjet në Kosovë do të mbahen me ligjet e Kosovës. Marrëveshja është publike e mund të shihni qartë se flitet për zgjedhje në bazë të ligjeve të Kosovës”, -ka theksuar kryenegociatorja Tahiri.

Ndonëse ende nuk është arritur pajtim për marrëveshjen për telekomin, ajo ka besim që kjo do të ndodhë së shpejti, pasi që “janë disa afate që duhet t'i përmbahen palët”.

“Draft-marrëveshja, e cila është shkruar edhe në letër, përfshin çështjen e kodit telefonik për Kosovën, pastaj vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes autoriteteve rregullatore të të dyja shteteve, çështjen e shuarjes së strukturave apo operatorëve ilegalë të Serbisë në fushën e telefonisë fikse dhe mobile. Po ashtu, përfshin çështjen e brezit frekuencor, meqë ka ndërhyrje të Serbisë në brezin frekuencor të Kosovës”, -ka deklaruar Tahiri.

Për më tepër, ajo ka theksuar se mes dy shteteve, tashmë ka përafrim shumë të madh sa i përket kësaj marrëveshje. Por, sipas saj, pala serbe, kohët e fundit, ka shfaqur një mospajtim në mënyrë të tërthorët që të anashkalojë kodin unik të telefonisë, gjë që është kundërshtuar nga pala kosovare dhe BE-ja.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›