E Diel, 1 Nëntor 2026

Osmani pas votimit: Rëndësi që Kosova të tregojë maturi në procesin zgjedhor

PRISHTINË, 9 nëntor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ushtroi të drejtën e saj kushtetuese për të votuar.

Pasi votoi në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës ajo tha se qytetarët sot vendosin jo vetëm se kush do t’i udhëheqë komunat ku ata jetojnë, por edhe për një të ardhme më të mirë për ta.

Presidentja Osmani shpreh besimin që edhe ky proces i sotëm zgjedhor do të jetë i lirë dhe demokratik.

E para e vendit e pyetur për ndikimin që rezultati i këtij procesi zgjedhor lokal mund të ketë në atë kombëtar, ajo tha se këto janë procese të ndara dhe se zgjedhjet lokale nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional.

Ajo tha se nëse do të ketë zgjedhje nacional varet nga partitë politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës.

“Këto janë procese komplet të ndara. Natyrisht që zgjedhjet komunale nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional në të cilat po kalojmë. Proceset në nivel nacional janë duke u zhvilluar në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe do të shohim në ditët në vijim se çfarë do të ndodh. Megjithatë, çka është me rëndësi është që Kosova çdo palë zgjedhje tregon maturi, tregon se respektohet qytetari, tregon se respektohet e drejta e votës. Prandaj, jo vetëm që këto rezultate në zgjedhjet lokale apo vetë organizimi i tyre nuk kanë ndërlidhmëri me zgjedhjet nacionale, edhe zgjedhjet nacionale kurdo që do t’i kemi ato sepse kjo do të varet nga partitë politike që përfaqësohen tani në Kuvend jam e bindur se do të jeni edhe një gur më shumë mbi këtë kalanë e demokracisë që e kemi ndërtuar përgjatë shumë viteve. Jam shumë krenare me qytetarët e Kosovës që janë kontribuesi kryesor të demokracisë në vend”, deklaroi Osmani.

Rundi i dytë i zgjedhjeve lokale po mbahet në 18 komuna.

Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672 votues.

/kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›