Osmani takon ambasadorin e ri të OSBE-së, flasin për transparencën institucionale

PRISHTINË, 9 maj/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim njoftues Ambasadorin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, të cilit i uroi mirëseardhje të përzemërt dhe suksese në mandatin e tij të ri.
Gjatë takimit, presidentja Osmani shprehu mirënjohje për partneritetin e gjatë dhe të qëndrueshëm që OSBE-ja ka ndërtuar me institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
“Ajo theksoi rolin kyç që ky mision ka luajtur në forcimin e demokracisë, promovimin e qeverisjes së mirë dhe avancimin e sundimit të ligjit në vendin tone”, citohet në komunikatë Osmani.
Po ashtu, në takim, presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut.
Më tej, Presidentja Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe përkrahjen e grupeve të margjinalizuara. /Kosovapress/