Osservatore Romano mirëpret tezat e fjalimit inaugurues të presidentit Obama
Gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” komenton fjalimin e mbajtur nga presidenti i ri amerikan, Barak Obama në ceremoninë e marrjes së detyrës. “Nuk la vend për optimizëm të lehtë” e nuk ofroi “iluzione”, shkruan e përditshmja e Selisë së Shenjtë. Në ditën, në të cilën në Uashington zhvillohet Marshimi për Jetën kundër abortit, temë që mund të shkaktojë probleme në marrëdhëniet e Obamës me Kishën Katolike, gazeta eviton argumentin, për t’i lënë hapësirë thirrjes për “shpresë në vend të frikës”, që presidenti i parë afro-amerikan i SHBA-ve u drejtoi bashkëqytetarëve të tij nga Capitol Hill. “Deri tani - vë në dukje “L’Osservatore Romano” - merita e madhe e presidenti Obama është se u ridha njerëzve besimin tek politika, u dha shpresën se ajo mund të jetë me të vërtetë rrugë për të shërbyer të mirën e përbashkët, në favor të të gjithëve e të secilit, si person i vetëm e si bashkësi. Duke i dëgjuar nga goja e tij, njerëzit presin që shprehje si “të japim llogari për paratë e shtetit, të shpenzojmë me mençuri apo të ndryshojmë mënyrën e jetesës” të kenë një domethënie të vërtetë e autentike. Aspiratat janë të mëdha”, përfundon gazeta e Vatikanit.
Ipeshkvijtë katolikë të SHBA-ve i dërgojnë një letër të dytë presidentit të ri, Barak Obama, pas asaj të 13 janarit. Temat kryesore të së dytës, që mban datën 16 janar, kanë të bëjnë me abortin e me ligjet që garantojnë lirinë e ndërgjegjes.Aktualisht, ligjet amerikane parashikojnë që mjekët të veprojnë si ua thotë ndërgjegjia, në rastet kur u kërkohet të shkaktojnë aborte. Po ashtu, politika mbi qelizat staminale u siguron amerikanëve mundësinë të mos i shkatërrojnë qelizat staminale embrionale. Kardinali Frensis Xhorxh, president i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, si nënshkrues i letrës në emër të ipeshkvijve katolikë, kërkon që këto ligje të mos ndryshohen. Ai vë në dukje se shkenca gjithnjë e më shumë po shkon drejt qëndrimeve të Kishës, pasi përdorimi i qelizave të tipeve të tjera, po jep shumë më tepër rezultate, se sa përdorimi i qelizave embrionale. Nëse këto ligje do të ndryshojnë, përfundon kardinali Xhorxh, kjo do të ishte një fitore e trishtuar e politikës mbi shkencën.
Presidenti i ri amerikan, Barak Obama e ka bërë hapin e parë, tani i takon Islamit të bëjë tjetrin. Ky mendim është shprehur nga Antuan Basbus, themelues dhe drejtor i Observatorit për Vendet arabe, institut i njohur parisian për çështjet arabe dhe islamike.
Sipas tij, kur foli për “dorë të shtrirë” e për “respekt të ndërsjelltë” ndaj myslimanëve, Obama deshi të përvijonte ndarjen e qartë nga politika e Xhorxh Bushit, që krijoi burgun e Guantanamos e luftën frontale kundër terrorizmit islamik. Edhe fakti që e ka mbajtur H-në e Hyseinit, emri i të atit e emri i tij i dytë, duke theksuar se një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar në Indonezi, tregon se ka ndërmend të sillet ndryshe me Islamin. Megjithatë, nuk e la pa kritika. Foli për korruspion, për shtete që nuk respektojnë ligjin, por shpalli edhe një politikë të re, që ka ndërmend të kërkojë interesat e përbashkëta me myslimanët, vetëm në respektimin e ndërsjelltë. Tani, thekson Antuan Basbus në një intervistë për agjensinë italiane të lajmeve, ANSA, integralistët islamikë duhet të ndryshojnë kurs. E takimet me Islamin nuk mungojnë. Mjafton të kujtojmë krizën izraelito-palestineze, Irakun, Iranin, Afganistanin… etj. Për momentin, Obama është simpatik për myslimanët - vëren Basbus - për shkak të ngjyrës së lëkurës, për origjinën e tij afrikane, për faktin se është bir i një myslimani. Por, kjo nuk do të thotë se do të jetë kështu edhe pas një viti. Myslimanët kanë nevojë ta ndryshojnë imazhin e Amerikës e ta konsiderojnë atë të ndryshme nga ajo e Bushit. Islami duhet të luajë pjesën e tij në këtë çështje, përfundon drejtori i Observatorit për Vendet arabe, por nuk mjaftojnë qëllimet e mira, duhen veprime konkrete nga të dyja palët. Amerika duhet të zbatojë në praktikë politikën e re të Obamës, por bota islamike duhet ta ndjekë.