E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokracia e brendshme në PD dhe politikëbërja e lidershipit po i japin fund tranzicionit shqiptar

Demokracia është bërë sot një rend politik botëror dhe sistemet demokratike kanë rezultuar më të suksesshmet, krahasuar me llojet e tjera të sistemeve politike, dështimin e të cilëve (përmendim komunizmin) e ka treguar qartë historia. Çelësi i suksesit të sistemeve demokratike qëndron pikërisht tek parimet teorike ku bazohet funksionimi i vetë demokracisë. Në një sistem të tillë, populli është aktori kryesor i vendimmarrjes politike dhe këtë e realizon duke ia besuar pushtetin një trupe të caktuar individësh. Po të citojmë Linkolnin në fjalimin e tij historik në vitin 1986, “demokracia është qeverisje e popullit, nga populli dhe për popullin”. Demokracia nuk nënkupton vetëm një formë qeverisjeje, formë shteti apo entitet politik, por ky koncept përfshin brenda kontekstit të tij një larmi, diversitet, antagonizëm të ideve, interesave dhe vlerave. Pra, termi demokraci është i lidhur ngushtë me atë pluralizëm i cili nënkupton që mospajtimi, ndryshimi i opinioneve dhe kundërshtitë janë karakteristika të një sistemi politiko- shoqëror. Nisur nga këto përkufizime arrihet tek një tjetër koncept, partitë politike, veprimtaria e të cilave formëson pluralizmin. Partitë politike janë celula e demokracisë dhe mjetet me të cilat realizohet demokracia. Ekzistojnë një sërë definicionesh për partitë politike, por të gjitha këto rezultojnë në një ide, në atë që partitë politike janë organizata politike që synojnë formimin e vullnetit politik dhe marrjen e pushtetit. Pluralizmi politik është një fenomen relativisht i ri në politikën shqiptare. Partitë e para politike shqiptare u krijuan në fillim të viteve ’20, por që nuk mund të konsiderohen të tilla përsa i përket ndërtimit dhe funksionimit të tyre. Pavarësisht se në këtë periudhë u vendos pluralizmi politik, sistemi politik nuk mund të konsiderohej krejt demokratik dhe partitë politike përfaqësonin natyrën thellësisht kontradiktore të politikës shqiptare të pasluftës së parë botërore. Gjithsesi ky pluralizëm do të japë sinjale pozitive por do të cenohet nga vendosja e administratës mbretërore dhe do të marrë fund me vendosjen e regjimit komunist, për t’u rivendosur vetëm në fillim të viteve ’90.
Pas shembjes së regjimit komunist do të krijohet partia e parë pluraliste, Partia Demokratike, partia komuniste do të shndërrohej në Partinë Socialiste dhe do të krijoheshin më pas rishtas një sërë partish të tjera.
E gjitha kjo parantezë shërben për të treguar se instalimi i sistemit demokratik në Shqipëri dhe krijimi i partive politike do të fillojnë nga një “nivel 0”, në kushtet e mungesës së plotë të përvojës demokratike. Kjo mbetet arsyeja kryesore e burimit të problemeve që ka shfaqur funksionimi i sistemit shumëpartiak në këto vite tranzicioni. Por teza kryesore që paraqet interes për momenin është konfirmimi se qeverisja cilësore e viteve të fundit tregon se PD-ja ka arritur një nivel të lartë demokratizimi dhe i ka lënë pas problemet që janë karakteristikë e çdo periudhe tranzicioni. PD-ja ka arritur një shkallë të lartë pjekurie politike që i mundëson jetësimin e një demokracie të brendshme në nivele të larta. Nivelin e demokracisë brenda PD-së e dëshmon niveli i demokracisë së qeverisjes dhe bazat e forta demokratike mbi të cilat po funksionon sistemi politik. Nëse bëhet një analizë objektive e qeverisjes së këtyre viteve arrihet në konkluzionin se është një qeverisje e suksesshme, fakt ky që tregon në të njëjtën kohë edhe për shkallën e lartë të zhvillimit të demokracisë brenda PD-së, meqë ekziston një lidhje e ngushtë midis një qeverisjeje të suksesshme dhe midis një demokracie efektive brendapartiake.
Gjatë këtij mandati PD-ja ka ftuar opozitën për bashkëpunim në marrjen e vendimeve me rëndësi kombëtare. Këto ftesa për bashkëpunim tregojnë jo vetëm pjekurinë, modernizimin dhe evropianizimin e mëtejshëm të këtij formacioni politik, por këto nisma hedhin më në fund poshtë tezën sipas së cilës; vërtet sistemi pluralist është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të përmbajë ndarje, qëndrime, mendime dhe opinione të kundërta në lidhje me çështje të caktuara, paçka se në rastin shqiptar sistemi partiak reflekton një mungesë të dukshme tolerance, një armiqësi dhe konfliktualitet të përhershëm. Ftesa për bashkëpunim për marrjen e vendimeve të tilla siç mund të jenë reforma elektorale dhe më pas ajo në drejtësi tregojnë se PD-ja jo vetëm ka konsoliduar një demokraci cilësore brenda vetes, por në të njëjtën kohë tenton të përmirësojë edhe cilësinë e marrëdhënieve ndërpartiake dhe vetë politikës shqiptare. Qeverisja e suksesshme, referuar të gjitha arritjeve, mbajtjes së premtimeve elektorale apo edhe vlerësimeve ndërkombëtare tregon në të njëjtën kohë një rritje të nivelit të kulturës politike demokratike të PD-së. Demokracia nuk mund të bazohet vetëm tek institucionet e saj por varet edhe nga shkalla e zhvillimit të kulturës politike. Me kulturë politike kuptohen të ashtuquajtur “fenomene të butë të politikës”, si mendimi politik, paraqitja dhe vlerat. Qeverisja e këtyre tre viteve duke funksionuar në bazë të normave dhe parimeve demokratike, duke respektuar shtetin e së drejtës, duke zbatuar dhe respektuar parimin e ndarjes dhe ekuilibrimit të pushtetit , duke u bazuar tek toleranca dhe bashkëpunimi, reflekton edhe për një kulturë politike demokratike në nivele të larta të elitës qeverisëse. Pra, PD-ja është në gjendje të prodhojë elita politike me një kulturë të pasuruar dukshëm me elementë demokratikë. Historikisht, PD-ja është e përbërë nga individë të cilët posedonin koncepte demokratike të cilat ishin në disidencë me parimet e regjimit komunist. Përveç kësaj, ndër vite PD-ja është pasuruar me individë të rinj, të arsimuar e të mbrujtur me ide perëndimore. Një tjetër fakt që tregon edhe rritjen e nivelit dhe përsosjen e cilësisë së demokracisë së PD-së është edhe funksionimi i koalicionit qeverisës në këto vite. Në bazë të studimeve të ndryshme hidhen teza se koalicionet në Shqipëri janë formale, fiktive, joefektive dhe praktikisht nuk kanë shprehur bashkëpunimin e presupozuar teorikisht. Por në koalicionin e këtij mandati qeverisës vihet re se partitë e tjera e përfshira në të nuk kanë mundësuar vetëm mbetjen e tyre brenda skenës politike shqiptare por për herë të parë në Shqipëri, ato kanë luajtur një rol aktiv brenda koalicionit. Partitë politike të përfshira në koalicion me PD-në kanë luajtur një rol aktiv dhe efektiv në qeverisje duke marrë detyra dhe përgjegjësi. Ky funksionim i koalicionit është meritë e PD-së e cila duke iu dhënë në funksion dhe peshë reale partive aleate ka treguar se di të zbatojë dhe respektojë me përpikmëri një nga elementët më të rëndësishëm të demokracisë, marrëveshjen. Një tjetër element që flet për një demokraci moderne të PD-së është edhe një tjetër fenomen. Kështu, gjatë këtyre viteve tranzicion, fenomeni më i dukshëm në sistemin shumëpartiak ka qene rrjedhja a fragmentarizimi në kuptimin e shkëputjes së vazhdueshme të grupeve apo klaneve nga parti të caktuara dhe krijimi i partive të tjera prej tyre. Kjo këto shkëputje ndodhin për arsye të ndryshme por ajo që nuk është hasur është pikërisht fenomeni në krah të kundërt, rikthimi i këtyre grupeve për t’iu ribashkangjitur partisë apo edhe bashkimi i dy partive për të krijuar një të vetme. Por rasti i kthimit të PDR-së tek PD-ja dhe shkrirja me të flet qartë, një fenomen i rrallë në politikën shqiptare postkomuniste. Ky fakt flet qartë për një PD të demokratizuar e cila lë hapësira të konsiderueshme për bashkëpunim, alternativa e dialog brendapartiak.
Pra, të gjitha këto fakte na ndihmojnë të theksojmë pa drojë se niveli i demokratizimit të PD-së ka arritur standarde perëndimore, se PD e meriton të quhet realisht një parti e profilit të djathtë dhe se cilësia e demokracisë dhe e politikëbërjes së saj po i jep fund fazës së tranzicionit në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›