E Diel, 1 Nëntor 2026

P R O J E K T L I GJ PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8366, DATË 2.7.1998, “PËR SHËRBIMIN GJEOLOGJIK SHQIPTAR (SHGJSH)”, TË NDRYSHUAR

P R O J E K T L I GJ 

PËR 

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8366, DATË 2.7.1998, “PËR SHËRBIMIN GJEOLOGJIK SHQIPTAR (SHGJSH)”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :


Në ligjin nr.8366, datë 2.7.1998, “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

 

Në nenin 1, fjalët “... me përjashtim të Shërbimit Gjeologjik të Naftës dhe Gazit...”, shfuqizohen.

Neni 2

 

Në nenin 6 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1.       Kudo fjala “Studimet” zëvendësohet me “Vrojtimet, shërbimet, përgjithësimet dhe monitorimet”.

2.       Në paragrafin e dytë, fjalët “...gjeofizike e gjeokimike, të çdo shkalle...” zëvendësohen me “... gjeofizike, përfshirë sizmikën e cekët (inxhinierike), elektrometrinë, magnetometrinë, gravimetrinë, radiometrinë, matjet e emisioneve të radonit në tokë, ujë, ajër, si dhe në mjediset e brendshme, të çdo lloji e shkalle...”.

3.       Në paragrafin e tretë, pas fjalëve “... materialeve industriale...” shtohet “... hidrokarbureve...”.

4.       Pas paragrafit të tretë shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:

“Kontrolli i aspekteve gjeologjike (verifikimi sasior, cilësor i rezervave dhe bilanci i tyre), vlerësimi i efekteve gjeologo-mjedisore, gjeologo-inxhinierike e hidrogjeologjike, të veprimtarisë post minerare, oponenca dhe monitorimi i lejeve të kërkimit, kërkim-zbulimit e shfrytëzimit, për aspektet gjeologjike e mjedisore.”.

 

5.       Në fund të nenit 6 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:

“Promovimi i perspektivës së mineraleve të dobishme.”.

 

Neni 3

 

Në fjalinë e fundit, të nenit 7, pas fjalëve “... për naftën dhe gazin...” shtohen “... si dhe dokumentacioni faktik i punimeve gjeologo-inxhinierike, të kryera nga subjekte, private apo shtetërore, të fazës së projektzbatimit...”.

Neni 4

 

Paragrafi i fundit, i nenit 7/1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Agjencia e Ujit dhe Basenit dërgon në Arkivin Qendror të Gjeologjisë një kopje të projektit, pas miratimit të lejes së shpimit, dhe një kopje të relacionit, për rezultatet e punimeve të kryera, pas miratimit të lejes së shfrytëzimit nga Këshilli i Basenit Ujëmbledhës.”.

Neni 5

 

Neni 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 8

 

Përveç funksioneve të parashikuara në nenet 6, 7 e 7/1, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar kryen shërbime me pagesë për të tretët. Për shërbimet jashtë vendit merret miratimi paraprak i ministrit.”.

Neni 6

 

Nenet 9, 10, 11 e 12 shfuqizohen.

Neni 7

 

Neni 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 15

 

Drejtori i Përgjithshëm ka këto kompetenca:

a)     Drejton dhe është përgjegjës për menaxhimin e veprimtarisë së institucionit;

b)    Përfaqëson Shërbimin Gjeologjik Shqiptar në marrëdhëniet me të tretët.”.

Neni 8

 

Në nenin 16, togfjalëshi “organet drejtuese”, shfuqizohet.

Neni 9

 

Në nenin 17, bëhen këto ndryshime:

1.       Fjalët “... këshilli drejtues...” zëvendësohen me “... drejtori i Përgjithshëm...”.

2.       Paragrafi i fundit ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Struktura, nivelet e pagave dhe të shpërblimit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar miratohen nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.

Neni 10

 

Neni 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 18

 

Shërbimi Gjeologjik Shqiptar financohet nga buxheti vjetor, si dhe nga të ardhurat nga shërbimet për të tretët.”.

Neni 11

 

Neni 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 20

 

Ministri përcakton shërbimet me pagesë për të tretët, që kryhen nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar. Tarifat për çdo shërbim për të tretët miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Të ardhurat e krijuara nga tarifat për shërbimet për të tretët përdoren nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar me miratimin paraprak të ministrit, për përmirësimin e punës, nëpërmjet blerjes së pajisjeve, mjeteve teknologjike, aparaturave laboratorike, si dhe për kualifikimin, specializimin e shpërblimin e personelit.”.

Neni 12

 

Në fund të nenit 21, pas fjalëve “... i kalojnë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar...” shtohen edhe “... si edhe i gjithë dokumentacioni, teknik e shkencor, i këtyre shoqërive i kalon Shërbimit Gjeologjik Shqiptar...”.

Neni 13

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI

 


06/03/2009 Votoni per projektligjin PO:       JO: 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›