E Shtunë, 31 Tetor 2026

P R O J E K T L I GJ PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9396, DATË 12.5.2005, “PËR QIRANË FINANCIARE”

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9396,   DATË 12.5.2005, “PËR  QIRANË FINANCIARE”


Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë


V E N D O S I :

Në ligjin nr.9396, datë 12.5.2005, “Për qiranë financiare”, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:


Neni 1

Pikat 2 dhe 5, të nenit 28, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“2. Qiradhënësi mund të zgjidhë kontratën e qirasë nëpërmjet njoftimit me shkrim ose t’i kërkojë, me shkrim, qiramarrësit të paguajë shumën e plotë të papaguar të pagesave, bashkë me kamatëvonesat, edhe kur qiramarrësi shlyen pagesën e parë, por pas saj nuk shlyen qoftë edhe njërën nga pagesat e tjera të qirasë, me gjithë kamatëvonesën, brenda 20 ditëve kalendarike nga afati i përcaktuar në kontratë, për kryerjen e asaj pagese.”.

“5. Qiradhënësi, që kërkon ta zgjidhë kontratën e qirasë, për shkaqet e parashikuara në pikat 3 dhe 4, të këtij neni, detyrohet të njoftojë qiramarrësin, me shkrim. Njoftimi i dërgohet qiramarrësit brenda shtatë ditëve kalendarike para fillimit të procedurës së rimarrjes së sendit, duke i dhënë mundësi qiramarrësit të shlyejë pagesën e qirasë ose të përmbushë ndonjë detyrim tjetër.”.

Neni 2

Shkronja “b”, e pikës 2, të nenit 29, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) qiramarrësi të ketë njoftuar me shkrim qiradhënësin për mospërmbushjen dhe ajo nuk është ndrequr brenda 1 muaji nga marrja e njoftimit me shkrim.”.

Neni 3

Në nenin 30 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Shkronja “ç”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ç) të marrë të gjitha shpenzimet shtesë, përfshirë shpenzimet gjyqësore për rimarrjen e sendit, si dhe shpenzimet e qiramarrësit për rimarketimin dhe shitjen e tij, të bëra për shkak të mospagimit të detyrimeve nga qiramarrësi.”.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Nga mbledhja e detyrimeve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, qiradhënësi është i detyruar të zbresë shumën e vlerës së shitjes së sendit të arkëtuar në çastin e realizimit të shitjes së tij nga qiradhënësi te një person i tretë. Çdo shumë e marrë nga qiradhënësi në tejkalim të shumës, që del nga mbledhja e detyrimeve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, i paguhet qiramarrësit.”.

3. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Nëse qiradhënësi do ta shesë sendin e rimarrë, ai është i detyruar të njoftojë, me shkrim, qiramarrësin, duke i dhënë mundësi atij, që, brenda 15 ditëve, të gjejë blerës për sendin, me një çmim jo më të ulët se shuma e përgjithshme e detyrimeve, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni. Pas mbarimit të këtij afati, qiradhënësi mund ta realizojë vetë shitjen e sendit, duke njoftuar qiramarrësin për vlerën, me të cilën është shitur sendi.”.

Neni 4

Pikat 1 e 3, të nenit 32, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Kontrata e qirasë financiare është titull ekzekutiv, për sa i takon rimarrjes së sendit, objekt i kontratës së qirasë, dhe vihet në ekzekutim nga përmbaruesi gjyqësor, pas lëshimit të urdhrit përkatës të ekzekutimit nga gjykata përgjegjëse, e cila shprehet brenda pesë ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.”.

“3. Përmbaruesi gjyqësor i njofton urdhrin qiramarrësit, brenda 5 ditëve nga data e lëshimit të urdhrit, dhe, nëse qiramarrësi nuk e dorëzon sendin vullnetarisht, brenda 10 ditëve nga data e njoftimit, përmbaruesi gjyqësor vendos menjëherë sekuestron mbi të. Kur përmbaruesi gjyqësor vëren se ka rrezik se me kalimin e afatit 10-ditor, ekzekutimi bëhet i pamundshëm, përmbaruesi gjyqësor fillon menjëherë ekzekutimin e detyrueshëm, duke vënë sekuestron mbi sendin, objekt të kontratës së qirasë, dhe ia dorëzon atë qiradhënësit.

Nëse përmbaruesi gjyqësor nuk arrin ta vendosë sekuestron mbi sendin, ai njofton për këtë me shkrim, qiradhënësin menjëherë, por jo më vonë se 10 ditë kalendarike nga data, kur përmbaruesi ka nisur veprimet për vënien e sekuestros.”.

Neni 5

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E T A R I

JOZEFINA  TOPALLI

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›