V E N D I M PËR TRANSFERIMIN E PASURIVE, TROJE DHE OBJEKTE, ME INTERES VENDOR, NË PRONËSI TË BASHKISË SË TIRANËS
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN E PASURIVE, TROJE DHE OBJEKTE, ME INTERES VENDOR, NË PRONËSI TË BASHKISË SË TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “k”, 5, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin e pasurive, truall dhe objekte, me nr.849, 864, 865, 898 e 983, në listën e pjesshme të inventarit (pjesa e parë), nr.2434 e 2863, në listën e pjesshme të inventarit (pjesa e dytë), dhe nr.100, në listën e pjesshme të inventarit (pjesa e tretë), në pronësi të bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e disa banesave sociale, në kuadër të strategjisë së strehimit, sipas formularëve, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Bashkisë së Tiranës nuk i lejohet tjetërsimi ose ndërrimi i destinacionit të këtyre pasurive apo dhënia në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen kryetari i bashkisë së Tiranës dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA