>P R O J E K T L I GJ
P R O J E K T L I GJ
PËR
gjykimin e MOSMARRëVESHJEve ADMINISTRATIVE DHE ORGANIZIMIN E DREJTëSISë ADMINISTRATIVE
Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja “a”, 83, pika 1, dhe 135, pika 2, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
1. Ky ligj cakton rregulla të detyrueshme për subjektet e gjykimit administrativ, organet shtetërore, personat juridikë dhe shtetasit për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, ekzekutimin e vendimeve gjyqësore administrative, si dhe organizimin e gjykatave administrative.
2. Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe.
Neni 2
Parimet e gjykimit administrativ
1. Rregullat e gjykimit administrativ garantojnë mbrojtjen efektive të të drejtave subjektive dhe të interesave të ligjshme të personave, nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme.
2. Gjykata administrative zbaton parimin e barazpeshimit të interesit publik, nga njëra anë, me të drejtat subjektive dhe interesat e ligjshme të personit, nga ana tjetër.
3. Organi publik, si rregull, ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e veprimit administrativ, të kryer prej tij, si dhe ligjshmërinë e veprimeve në marrëdhënien e punës.
4. Gjykata administrative gjykon për aktet shkresore dhe mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji me termat e mëposhtme nënkuptohen:
1. “Organi publik”, çdo organ i pushtetit qendror apo i njësive të qeverisjes vendore. Barazohet me organin publik çdo ent publik i krijuar me ligj, çdo person, juridik apo fizik, të cilit i është dhënë me ligj, akt nënligjor, kontratë apo çdo lloj forme tjetër të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, e drejta e ushtrimit të funksioneve publike.
2. “Veprim administrativ”, akti administrativ dhe veprimi tjetër administrativ.
3. “Akt administrativ”, çdo vendim, me shkrim, i organit publik, i njëanshëm, i dhënë në ushtrim të funksionit publik ndaj një ose disa personave individualisht të përcaktuar, që krijon, ndryshon ose shuan një marrëdhënie juridike.
4. “Veprim tjetër administrativ” është:
a. çdo shenjë, paralajmërim, tabelë, veprim material, informacion publik, raport;
b. çdo formë tjetër e njëanshme e shprehjes së vullnetit të organit publik, në ushtrimin e funksionit publik;
c. çdo refuzim për t’u shprehur apo mosveprim i organit publik, kur organi ka patur deyrimin ligjor për të vepruar ose kur personi ka kërkuar kryerjen e një veprimi tjetër administrativ, që nuk plotëson kushtet për të qënë akt nënligjor normativ, akt administrativ apo kontratë dhe që krijon pasoja juridike mbi të drejtat subjektive apo interesat legjitime.
5. “Person”, çdo person, fizik apo juridik.
6. “Organ shtetëror i pushtetit ekzekutiv”, çdo organ shtetëror, përfaqësues i krijuar me ligj, i emëruar apo i zgjedhur, dhe që kryen funksione ekzekutive, qendrore ose vendore.
7. “Gjykata administrative”, gjykata administrative e shkallës së parë dhe gjykata e apelit administrativ.
KREU II
ORGANIZIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE DHE KOMPETENCAT
Seksioni I
Organizimi dhe funksionimi i gjykatave administrative
Neni 4
Përcaktimi i seksioneve, i numrit të gjyqtarëve dhe i kompetencës tokësore
1. Gjykatat kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative, sipas këtij ligji, janë gjykata administrative e shkallës së parë, gjykata e apelit administrativ dhe Gjykata e Lartë.
2. Gjykata administrative e shkallës së parë është e organizuar me një gjykatë, në Tiranë, dhe me seksionet pranë gjykatave të rretheve gjyqësore të vendit.
3. Numri i seksioneve të gjykatës administrative të shkallës së parë, kompetencat tokësore, selia qendrore, si dhe numri i gjyqtarëve të tyre dhe të gjykatës së apelit administrativ caktohen me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimet, pasi të këtë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 5
Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të gjykatave administrative
1. Kriteret e emërimit dhe të karrierës së gjyqtarëve, statusi i tyre, përgjegjësia për shkeljet disiplinore, masat disiplinore, procedimi disiplinor, administrimi i shërbimeve në gjykatë, si dhe riorganizimi gjyqësor rregullohen sipas dispozitave të ligjit nr.9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, me përjashtim te rastit kur në këtë ligj parashikohet ndryshe.
2. Përveç kritereve të përgjithshme, të përcaktuara në ligjin nr.9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, përvoja e gjyqtarit në gjykatën administrative të shkallës së parë apo në administratën shtetërore përbën përparësi të kandidatit në emërimin e tij gjyqtar në gjykatën e apelit administrativ.
Seksioni II
Përbërja dhe kompetencat
Neni 6
Përbërja e trupit gjykues
1. Gjykata administrative e shkallës së parë gjykon si rregull me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Në rastet kur çështja nuk ka karakter kompleks, vetëm me vendim unanim të të tre gjyqtarëve, çështja gjykohet nga gjyqtari kryesues. Ky vendim mund të merret deri sa nuk është dhënë vendimi për shqyrtimin e provave. Vendimi i marrë me unanimitet për këtë çështje nuk mund të ankimohet dhe nuk përbën shkak për prishjen e vendimit përfundimtar nga gjykatat më të larta.
2. Përjashtim nga ky rregull përbëjnë paditë në fushën e marrëdhënieve të punës, të cilat gjykohen gjithmonë me trup gjykues, të përbërë nga një gjyqtar.
3. Gjykata e apelit administrativ gjykon me trup gjykues të përbërë:
a. nga pesë gjyqtarë, paditë ndaj aktit nënligjor normativ;
b. nga tre gjyqtarë, çështjet e tjera.
Neni 7
Kompetenca lëndore
1. Gjykata administrative është kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve, që lidhen me:
a. një veprim administrativ, pavarësisht nga forma dhe lloji i tij;
b. marrëdhëniet e punës të rregulluara nga Kodi i Punës, në të cilat punëdhënësi është një organ publik;
c. një akt nënligjor normativ të organeve qendrore apo organeve të njësive të qeverisjes vendore.
Neni 8
Mosmarrëveshjet, të cilat nuk shqyrtohen në gjykatën
administrative
1. Gjykata administrative nuk shqyrton mosmarrëveshjet:
a. të cilat lidhen me aktet nënligjore normative, që, sipas Kushtetutës, janë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese;
b. shqyrtimi i të cilave, sipas legjislacionit në fuqi, është në kompetencën e një gjykate tjetër;
c. sipas të cilave punëdhënësi është organi publik i barazuar.
2. Në rast të ngritjes së këtyre padive, gjykata edhe kryesisht merr vendim për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit të saj apo për shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e akteve organit kompetent.
Neni 9
Kompetenca funksionale
1. Gjykata administrative e shkallës së parë shqyrton mosmarrëveshjet e parashikuara në shkronjat “a” e “b”, të nenit 7, të këtij ligji.
2. Gjykata e apelit administrativ shqyrton:
a. në shkallë të parë, mosmarrëveshjet e parashikuara në shkronjën “c”, të nenit 7, të këtij ligji;
b. ankimet kundër vendimeve të gjykatës administrative të shkallës së parë.
Neni 10
Kompetenca tokësore
1. Paditë kundër veprimit administrativ shqyrtohen në seksionin e gjykatës administrative të shkallës së parë, që përfshin territorin, në të cilin organi publik ka kryer veprimin administrativ, që kundërshtohet. Kur kompetenca tokësore nuk mund të përcaktohet në këtë mënyrë, atëherë kompetente është gjykata, në territorin e të cilës ka qendrën organi publik i paditur.
2. Paditë për marrëdhëniet e punësimit shqyrtohen në seksionin e gjykatës administrative të shkallës së parë, që përfshin territorin, ku punëmarrësi kryen zakonisht punën e tij. Nëse kompetenca tokësore nuk mund të përcaktohet në këtë mënyrë, atëherë kompetente është gjykata, në territorin e së cilës ka qendrën organi publik.
Neni 11
Konflikti i kompetencave
1. Moskompetenca, lëndore dhe funksionale, ngrihet edhe kryesisht në çdo gjendje e shkallë të shqyrtimit.
2. Moskompetenca tokësore mund të ngrihet ose kundërshtohet nga palët vetëm para se të ketë filluar shqyrtimi gjyqësor i provave.
3. Gjykata shpall me vendim moskompetencën e saj për shkaqet e mësipërme dhe urdhëron dërgimin e akteve gjykatës kompetente. Vendimi për shpalljen e moskompetencës dhe ai për refuzimin e kundërshtimit të kompetencës ankimohen së bashku me vendimin përfundimtar.
4. Ka mosmarrëveshje për kompetencën kur dy ose më shumë gjykata, në të njëjtën kohë, marrin ose nuk pranojnë të marrin për shqyrtim të njëjtën çështje administrative.
5. Gjykata, me kërkesë të palëve ose krysisht, ngre mosmarrëveshjen me vendim të arsyetuar, me të cilin i paraqet Gjykatës së Lartë kopjen e akteve të nevojshme për zgjidhjen e saj. Gjykata, që ka dhënë vendimin, njofton menjëherë gjykatën në mosmarrëveshje. Vendimi për ngritjen e mosmarrëveshjes, së bashku me aktet i dërgohet Gjykatës së Lartë, brenda 5 ditëve.
6. Mosmarrëveshjet zgjidhen nga Gjykata e Lartë, me vendim, brenda dhjetë ditëve nga data e marrjes së akteve. Vendimi u njoftohet menjëherë gjykatave në mosmarrëveshje dhe palëve.
KREU III
KUSHTET FORMALE TË PADISË
Neni 12
E drejta e padisë dhe legjitimimi
1. Të drejtën e ngritjes së padisë e ka:
a. çdo person, që pretendon se i është cenuar një e drejtë apo një interes i ligjshëm nga një veprim administrativ.
b. organi shtetëror i pushtetit ekzekutiv, që pretendon se është cenuar në ushtrimin e kompetencave nga një akt administrativ apo nga një akt nënligjor normativ i paligjshëm, i një organi publik, me të cilin nuk ka lidhje varësie hierarkike. Në këtë rast, organi shtetëror mund të kërkojë vetëm shfuqizimin e aktit.
c. çdo subjekt tjetër, të cilit kjo e drejtë i njihet shprehimisht me ligj.
ç. punëmarrësi, për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, kur punëdhënës është një organ publik.
Neni 13
1. Padia ndaj veprimit administrativ mund të ngrihet vetëm pas shterrimit të ankimit administrativ.
2. Përjashtohen nga ky rregull rastet kur:
a. ligji nuk parashikon organ më të lartë për paraqitjen e ankimit administrativ ose kur organi më i lartë administrativ nuk është konstituar;
b. ligji parashikon shprehimisht të drejtën për t’u ankuar ndaj veprimit administrativ drejtpërdrejt në gjykatë;
c. organi më i lartë në shqyrtimin e një ankimi administrativ, ka cenuar, me vendimin e tij, të drejtat apo interesat personale të ligjshme të një personi, i cili nuk ka qenë palë në procedimin administrativ.
Neni 14
Afati për ngritjen e padisë
1. Padia kundër veprimit administrativ paraqitet në gjykatë brenda 45 ditëve. Ky afat fillon nga:
a. data e njoftimit, sipas mënyrës së përcaktuar në ligj, të aktit administrativ të organit, që ka shqyrtuar ankimin administrativ;
b. data e njoftimit, sipas mënyrës së përcaktuar në ligj, të aktit administrativ, në rastet kur ky akt ankimohet drejtpërdrejt në gjykatë;
c. data e botimit të aktit administrativ, në rastet kur ligji parashikon detyrimin për botimin e aktit;
ç. data e mbarimit të afatit ligjor për kryerjen e veprimit administrativ në rastet e mosveprimit të organit administrativ, kur akti administrativ ankimohet drejtpërdrejt në gjykatë;
d. data e mbarimit të afatit ligjor për zgjidhjen e ankimit administrativ në rastet e mosveprimit të organit më të lartë adminstrativ.
2. Afati i mësipërm është 90 ditë, në rastet kur akti administrativ nuk tregon qartë për të drejtën dhe afatin e padisë.
3. Padia kundër aktit nënligjor normativ paraqitet në gjykatë, brenda 45 ditëve nga cenimi i së drejtës ose i interesit të ligjshëm, por gjithsesi jo më vonë se tre vjet nga data e nxjerrjes së aktit.
4. Paditë për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve te punës paraqiten në gjykatë, sipas afateve të parashikuara në Kodin e Punës.
5. Afatet e mësipërme janë të prera dhe shkelja e tyre shkakton humbjen e së drejtës së padisë. Këto afate shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht.
Neni 15
Kushte të tjera
Përveç kushteve të përcaktuara në nenet e këtij kreu, padia duhet të plotësojë edhe kushtet specifike, të vendosura në ligj, për raste të veçanta.
KREU IV
SHQYRTIMI GJYQËSOR NË SHKALLË TË PARË
Neni 16
Padia dhe aktet, që i bashkëlidhen
1. Padia duhet të plotësojë kërkesat e neneve 154 e 156, të Kodit të Procedurës Civile.
2. Paditësi, përveç aktit administrativ, që kundërshton, nuk ka detyrim t’i bashkëlidhë padisë akte provuese, por, nëse i paraqet ato, duhet të paraqesë edhe kopje të tyre për të paditurin.
3. Paditësi është i detyruar të identifikojë saktë veprimin administrativ, që kundërshton.
4. Paditësi është i detyruar të paraqesë listën e personave, që kërkon të thirren në gjykim, me cilësinë e ekspertit apo të dëshmitarit, duke përcaktuar saktë edhe adresën e tyre.
5. Paditësi, për çdo ndryshim të mëvonshëm të adresës së tij ose të përfaqësuesit të tij, detyrohet të njoftojë gjykatën. Shkelja e këtij detyrimi i bën të papranueshme pretendimet për pavlefshmërinë e njoftimit.
Neni 17
Bashkimi i padive
Disa padi mund të bashkohen në një padi të vetme, kur ato i drejtohen të njëjtit organ publik, kanë të njëjtin objekt dhe janë në kompetencën e një gjykate.
Neni 18
Veprimet përgatitore
1. Për zhvillimin e gjykimit sipas parimit të një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve, të shpejta e të arsyeshme, gjyqtari kryesues, brenda tri ditëve nga data e paraqitjes së padisë, kryen këto veprime:
a. I kërkon paditësit plotësimin e të metave të padisë, duke i caktuar atij një afat, deri në shtatë ditë. Kur paditësi nuk plotëson të metat e padisë, brenda afatit të caktuar, gjyqtari jep vendim për kthimin e padisë dhe të akteve, që i bashkëlidhen asaj. Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë.
b. I njofton të paditurit padinë dhe aktet shoqëruese të saj, duke i caktuar atij një afat, deri në shtatë ditë nga data e marrjes së këtij njoftimi, për depozitimin në sekretari të prapësimeve me shkrim, të listës së personave, që i padituri kërkon të thirren në gjykim, me cilësinë e dëshmitarit apo të ekspertit, dhe adresat e tyre, si dhe të akteve të plota shkresore, në të cilat janë bazuar kryerja e veprimit administrativ dhe shqyrtimi i ankimit administrativ. Në rastin e padisë me të meta, gjyqtari e dërgon këtë njoftim për të paditurin, brenda datës së plotësimit të të metave nga paditësi.
c. Cakton një ose më shumë ekspertë, nga listat e gjykatës për këtë qëllim, nëse për zgjidhjen e çështjes gjyqtari çmon se ka nevojë për njohuri të posaçme, duke e njoftuar ekspertin, me shkrim, për objektin e çështjes dhe detyrat. Ky ekspert ka të drejtë të njihet me aktet e çështjes dhe nuk mund të refuzojë, pa shkak të ligjshëm, detyrën e caktuar.
ç. Mosparaqitja e palëve në veprime përgatitore nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit të çështjes, edhe kur ata janë thirrur dhe njoftuar rregullisht.
d. Kryen edhe veprime të tjera të parashikuara nga neni 158/a i Kodit të Procedurës Civile, për aq sa ato janë të pajtueshme me nenet e këtij ligji.
2. Të gjitha këto veprime të gjyqtarit kryesues kryhen me vendime të ndërmjetme dhe dokumentohen në procesverbalin e veprimeve përgatitore, që përpilohet nga sekretari gjyqësor, dhe nënshkruhen prej tij dhe gjyqtarit kryesues.
Neni 19
Sigurimi i padisë
1. Me paraqitjen e padisë, paditësi mund t’i kërkojë gjykatës pezullimin e zbatimit të veprimit administrativ ose marrjen e çdo mase tjetër të përkohshme, e cila është e përshtatshme për mbrojtjen e interesave tij. Për shqyrtimin e kërkesës, gjykata thërret dhe njofton rregullisht palët.
2. Vendimi për sigurimin e padisë jepet në çdo fazë dhe shkallë të shqyrtimit gjyqësor, derisa vendimi nuk ka marrë formë të prerë. Ky vendim jepet nga gjykata, pranë së cilës ndodhet padia.
3. Gjykata vendos sigurimin e padisë, nëse plotësohen të gjitha kushtet e mëposhtme:
a. Ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në akte shkresore, që vërtetojnë shkaktimin e një dëmi të rëndë, të pariparueshëm dhe të atëçastëm, për paditësin;
b. Nuk cenohet rëndë interesi publik;
c. Paditësi jep garanci, në llojin dhe masën e caktuar nga gjykata, për dëmin, që mund t’i shkaktohet të paditurit nga sigurimi i padisë.
4. Gjykata, përveç pezullimit, vendos edhe marrjen e masave të tjera, të përkohshme, në rastet kur vetëm pezullimi nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme.
5. Kundër vendimit të gjykatës për pranimin apo refuzimin e kërkesës për sigurimin e padisë, mund të bëhet ankim i veçantë. Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e masës së sigurimit dhe nuk përbën shkak për pezullimin e gjykimit të çështjes nga gjykata.
Neni 20
Pezullimi automatik
1. Vendimi i ndërmjetëm për shqyrtimin gjyqësor të provave passjell pezullimin automatik të ekzekutimit të aktit administrativ apo të veprimit tjetër administrativ, nëse një masë e tillë është kërkuar nga pala dhe nuk është vendosur nga gjykata.
2. Pezullimi automatik ka efekte deri në dhënien e vendimit të themelit nga gjykata, që shqyrton çështjen.
Neni 21
Caktimi i seancës gjyqësore
1. Gjyqtari, në përfundim të veprimeve përgatitore dhe jo më vonë se 10 ditë nga data e paraqitjes së padisë, nxjerr urdhrin për caktimin e seancës gjyqësore. Në rastin e padisë me të meta, ky afat është jo më vonë se tri ditë nga data e plotësimit të të metave.
2. Urdhri për caktimin e seancës gjyqësore përmban:
a. datën, orën dhe vendin e zhvillimit të seancës gjyqësore;
b. palët dhe, sipas rastit, dëshmitarët dhe ekspertët e kërkuar nga palët, që duhet të marrin pjesë në seancë gjyqësore;
c. ekspertët e caktuar nga gjyqtari;
ç. njoftimin dhe mënyrën e njoftimit të palëve dhe të personave,
që duhet të marrin pjesë në seancë.
3. Njoftimi drejtuar palëve duhet të përmbajë paralajmërimin, që mosparaqitja e provave në seancën e parë gjyqësore shkakton mospranimin e tyre. Njoftimi drejtuar ekspertëve të caktuar nga gjyqtari duhet të përmbajë detyrimin e ekspertit, për të paraqitur aktin e ekspertimit, me shkrim, pesë ditë përpara seancës gjyqësore. Njoftimi drejtuar dëshmitarëve dhe ekspertëve të kërkuar nga palët duhet të përmbajë paralajmërimin, që mosparaqitja në seancë, pa shkak të ligjshëm, përbën vepër penale.
Neni 22
Seanca gjyqësore
1. Seanca gjyqësore zhvillohet sipas neneve të Kodit të Procedurës Civile, për aq sa ato janë të pajtueshme me këtë ligj.
2. Mosparaqitja e palëve në seancë, pavarësisht njoftimit të rregullt, nuk shkakton shtyrjen apo pushimin e gjykimit.
3. Shqyrtimi i çështjes nga gjykata në seancë gjyqësore bëhet me shkrim, por palët mund të kërkojnë të parashtrojnë, me gojë, shpjegimet e tyre.
4. Eksperti i kërkuar nga palët paraqitet në seancën gjyqësore për të shpjeguar me gojë njohuritë e tij të posaçme për natyrën e mosmarrëveshjes. Ai i përgjigjet pyetjeve të bëra nga palët dhe gjykata. Për të ndihmuar kujtesën, eksperti mund të lejohet nga gjykata, për të parë dokumentet e hartuara prej tij. Në raste të veçanta dhe të ndërlikuara, gjykata mund të vendosë që eksperti të paraqesë, me shkrim, shpjegimet e tij, brenda një afati jo më të gjatë se 10 ditë.
5. Eksperti i caktuar nga gjykata paraqitet në gjykim me aktin e përgatitur me shkrim, sipas detyrave të caktuara nga gjyqtari kryesues në veprimet përgatitore. Ai i përgjigjet me gojë pyetjeve të bëra nga palët dhe gjykata.
6. Në rast se gjykata ka caktuar afat për paraqitjen e pretendimeve përfundimtare me shkrim të palëve, mosparaqitja me shkrim e tyre brenda afatit të caktuar, nuk përbën shkak për shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor.
Neni 23
Barra e provës
1. Organi publik ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e aktit administrativ dhe të veprimit tjetër administrativ, të nxjerrë jo me kërkesë të paditësit.
2. Organi publik ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e veprimeve në marrëdhënien e punës, nga e cila ka lindur mosmarrëveshja, objekt gjykimi.
3. Në rastet e tjera, pala ka detyrimin të provojë faktet, në të cilat bazon pretendimin e saj. Por edhe në këto raste, gjykata edhe kryesisht, me vendim të ndërmjetëm, mund të vendosë kalimin e barrës së provës tek organi publik, kur ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova me shkresë, që vërtetojnë se organi publik fsheh apo nuk paraqet me dashje fakte dhe prova të rëndësishme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Ky vendim ankimohet së bashku me vendimin përfundimtar.
Neni 24
Mosparaqitja e provave nga organi publik
1. Paraqitja e provave nga palët bëhet, në çdo rast, përpara seancës së parë gjyqësore. Me kërkesë me shkrim të motivuar të organit publik, të paraqitur brenda afatit të caktuar sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 1