E Martë, 3 Nëntor 2026

PAKISTAN – Kryeministri Sharif konfirmon rrëzimin e pesë avionëve luftarakë indianë

ISLAMABAD, 7 maj /ATSH-DPA/ – Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif tha sot se forcat ajrore të vendit të tij rrëzuan pesë avionë luftarakë indianë në përleshjet e natës midis rivalëve të armatosur me armë bërthamore.

”Të paktën tre avionë ‘Rafale’ të prodhuar në Francë ishin midis avionëve të goditur nga raketat pakistaneze të lëshuara si nga ajri ashtu edhe nga sipërfaqja përtej kufirit de facto në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit”, tha Sharif në një fjalim para parlamentit.

Përleshjet midis fuqive bërthamore të Azisë Jugore shpërthyen gjatë natës pasi India nisi sulme të shumta me raketa brenda Pakistanit për të synuar strehimet e grupeve terroriste që Nju Delhi i fajëson për sulmin vdekjeprurës të muajit të kaluar në Kashmir.

”Të paktën 26 persona u vranë dhe gati katër duzina u plagosën në sulmet indiane në gjashtë vende”, tha ushtria pakistaneze.

“Deri në 80 avionë luftarakë indianë ishin në ajër gjatë sulmit, por forcat pakistaneze i ndoqën. Pesë u rrëzuan”, tha Sharif ndërsa vlerësoi reagimin e forcës ajrore të vendit të tij.

Kabineti i sigurisë i Sharifit i shpalli sulmet indiane si akt lufte dhe autorizoi ushtrinë të hakmerrej më herët gjatë ditës, në një veprim që mund ta çonte rajonin e Azisë Jugore në prag të një lufte tjetër.

Megjithatë, Sharif nuk tha asnjë fjalë për ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm në fjalimin e tij të shkurtër në parlament./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›