E Shtunë, 31 Tetor 2026

PARALELE QE PRITEN

Lajmi se nga vapa e madhe në ishullin e Qipros janë tërbuar gomarët e egër dhe kanë filluar të sulmojnë njerëzit, e përcolla pa ndonjë emocion të posaçëm, ndërsa nga ekrani i televizionit përcilleshin nën një kronometër të pakuptimtë - korrektesa e paanshmërisë së mediave, medemek, pamje nga takimet e kandidatëve për deputetë me njerëzit e thjeshtë anembanë Shqipërisë. Secili mburret se ka takuar shumë më shumë njerëz sesa kundërshtari. I ka përqafuar madje dhe e njeh varfërinë e tyre. Tjetri ia kthen se paskësh qenë në një fshat, fiu, ja, atje, mu në majë të malit, sipër reve dhe atje kishte takuar madje edhe nja tre a katër persona. Kam bërë edhe fotografi, thotë kushedi me zë tepër të lartë, sikur po thotë që ka rënë zjarri apo tërbimi.

Shtëpia botuese "Toena" hedh në treg librin e ri të Edi Ramës me titull "Edi Rama". Ndërkaq, shtypi matanë detit përcjell lajmin se shtëpia botuese e famshme, "Einaudi" nuk ka pranuar të botojë librin e nobelistit portugez, Saramago, (saktësisht Jose de Sousa Saramago) ku edhe ai ka mbledhur, jo shënimet e sekretares, por bisedat e shumta të viteve të fundit të plakut të mençur iberik me njerëz të ndryshëm përmes një blogu ku mund të marrë pjesë kushdo. Arsyeja e mosbotimit të librit është e thjeshtë: në meditimet e tija ai e konsideron Berluskonin si një rrezik real për demokracinë dhe një shembull të keq për zhvillimet e ardhshme të Evropës dhe mbarë botës demokratike. Mirëpo, "Einaudi" është, sikundër dihet, pronë e Berluskonit. Po Klani që nuk është as pronë e Ramës, as e Berishës e as e Metës (së paku u tha se për këta do të bëhej fjalë në emisionet e radhës së Bushatit) përse vallë ta ketë prishur kontratën me këtë gazetar? Po gazetat dhe mediat e tjera të shumta që kontrollohen prej tyre, pse nuk i blenë? Të paktën do të kishte pak më shumë transparencë. Mund të arrinin që të dy mbase edhe një marrëveshje siç bënë kur realizuan ndryshimet kushtetuese apo përpiluan Kodin e ri Zgjedhor… Sepse në analizë të fundit një blerje e tipit "uin-uin" kishte për të qenë edhe kjo.

Policia shqiptare sapo informoi publikun e gjerë se personi nga fshati Vreshtas (ja një emër që dëshmon edhe një herë mungesën e fantazisë së regjimit të përparshëm) që pretendonte se është rrahur për arsye politike, qenka me të meta mendore. Të paktën këtë e konfirmoi edhe kryetari i Partisë Socialiste të fshatit, i cili shtoi se i lartpërmenduri nuk është aspak militant i kësaj partie. Ndërkaq, në daljen e tij të parë publike pas zgjedhjeve për Parlamentin evropian ku e majta dëshmoi paaftësinë e saj për të rikuperuar sadopak dhe humbi thellë, përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian (ja një emërtesë që dëshmon më së miri jo vetëm mungesën e fantazisë, por edhe nivelin e lartë të mediokritetit të burokracisë evropiane) ndërsa mediat ishin të interesuara për komentet e tija në lidhje me këto rezultate, iu shmang dhe tregoi se paskësh qenë viktimë e spiunazhit kibernetik të një fuqie (medemek shteti të madh) gjatë disa muajve me radhë.

Rikonfirmimi në pushtet i të djathtës në zgjedhjet e fundit parlamentare evropiane dhe fitorja e saj veçanërisht në vende si Anglia, Spanja apo Portugalia, kushedi pse u mbajt si "e fshehtë" nga shumë media, ndërsa të tjera vetëm e mërmërinë nëpër dhëmbë. Frikë nga paralelizmi? Ndërkaq, media të njohura si teje "të majta" apo qartësisht si të tilla anekënd Evropës vazhdojnë të bëjnë analizën e thelluar të humbjes. Përçarja, thonë ata. Humbja e ofertës. Brishtësia e lidershipit që u dashka i fortë në momente krize. Pastaj është edhe vetëngopja, shtojnë analistët seriozë. Përveç rritjes së frikshme të partive të ekstremit të djathtë, përveç rekordit historik të abstenimit, nuk kanë munguar edhe "shakatë" e radhës, provë se hapësira e përbashkët evropiane është terren i lirive: në Suedi, Partia e Piratëve u rendit forca e pestë politike në vend. Këta "piratët" (që nuk kanë drojën të thirren kështu), ndryshe nga ata të Somalisë, punojnë në internet, kanë krijuar një sit të quajtur Pirate Bay përmes të cilit mund të shkarkosh filma pa paguar aspak copyright-in për autorin. Gjyqi i dënoi para dy muajve, por ata e kanë apeluar vendimin, duke u mbështetur te Kushtetuta suedeze dhe karta e Kopenhagenit, sipas së cilave populli ka të drejtë të informohet dhe të ndajë vlerat e krijuara prej tij. Ne, në Shqipëri, mendova me një gjendje të keqe humori, nuk kemi një parti të tillë, pa çka se piratët i kemi gjithandej. Lloj lloj piratësh. Vjedhin e plaçkitin ç‘u del përpara: parti, lidershipe, vota, detyrime fiskale, pasurinë e të gjithëve. Por nuk e kanë njërin sy të lidhur me pece të zezë dhe nuk kanë bërë partinë e tyre, që të mos dallohen, mendoj jo dhe aq me shpirtmadhësi.

Sapo ikën Edi nga ekrani, puf ia beh Saliu. Pastaj me sekuenca më të shkurtra del Meta. Të tjerët, ata të partizave të vogla, edhe më pak. Edi, pasi bërtet, këndon. Saliu tundet euforik në mes të atyre që këndojnë. Partitë kësaj radhe kanë bërë edhe "himne". G99, sloganin e Barak Obamës e kanë shqipëruar "Do t‘ia dalim!". Përtej oqeaneve, një tjetër politikan, i thirrur Hugo Çaves (në të vërtetë Hugo Rafael Chaves Frias) i argëton qytetarët e vet me një emision televiziv "Alo. Presidente!" ku bën edhe doktorin, edhe këngëtarin, edhe politikanin që vdes për popullin. Njerëzit, siç dëshmohet, argëtohen së tepërmi. Kjo shou zgjat hiç më pak se tetë orë në javë, por së fundmi shoumeni sapo deklaroi se në respekt të shokëve qytetarë, do të lëshojë nëpër shtëpitë e fukarenjve emisionin e tij për katër ditë rresht, pa ndërprerje. Ne, më thotë një mendje e mbrapshtë, kemi njëzet vjet në këtë emision politik që nuk mbaron. Të paktën Çavez, ndryshe nga këta tanët, nuk e shan kutinë e televizorit sa kohë është vetë i mbyllur në të. Sa për të premtuar, edhe ai kështu premton, raportojnë mediat.

Në Angli jeton një burrë emrin e të cilit nuk e dinte asnjeri para datës 1 qershor. Quhet Xhon Metjus dhe pikërisht atë ditë fitoi 5000 sterlina nga një bast që e kishte vënë qysh 25 muaj të shkuar. Historia është kjo. Ky Xhoni na vuante nga një sëmundje e ligë dhe mjekët nuk i kishin dhënë më shumë se dy vjet jetë. Mirëpo Xhoni na qëlloi një njeri me vullnet dhe me optimizëm të lartë. Shkoi në një dyqan përkatës dhe vuri bast për jetën e vet. Unë, tha, do të jetoj ku e ku më shumë. Më 1 qershor e kapërceu afatin e bastit. Mjekët kishin qenë gabim, pasi teksa tërhiqte paratë, Xhoni dëshmonte edhe humor edhe shëndet. Kjo histori më vjen shpesh ndër mend këto ditë kur kanë plasur anembanë bastet politikë. Edhe N ditë të kanë mbetur, i thotë Rama Berishës duke zbritur çdo ditë një numër. Edhe NN ditë të jap ty, që ta vësh emrin tënd në listat e deputetëve, ia kthen Berisha. Ndërkaq, një miku im skulptor që nuk është as suportues i Sali Berishës, as i mikut të tij të dikurshëm, Edi Rama, në trishtim, vargun e parë të këngës së njohur popullore "Tridhjetë e nëntë mos ardhsh kurrë" e përshtati: "Njëzet e nëntë mos ardhsh kurrë". Dhe nuk ka vënë ndonjë bast siç bëri Xhoni në Anglinë e largët. Thjesht është i lodhur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›