E Diel, 1 Nëntor 2026

Kameron Manter: Interesi strategjik i SHBA-së, Serbia në BE

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Kameron Manter, deklaroi këto ditë se qëllimi strategjik i SHBA-së është që Serbia të integrohet në Bashkimin Evropian, për shkak të mënyrës së jetesës, në favor të së cilës qytetarët e Serbisë votuan në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai tha se anëtarësimi në BE nuk është thjesht anëtarësim në një organizatë, por se ai (anëtarësimi) garanton prosperitetin ekonomik, vendosjen e shtetit ligjor dhe krijimin e një shoqërie që do të kontribuojë për stabilitetin e rajonit.

Ambasadori Manter në deklaratën që bëri në edicionin e lajmeve të kanalit televiziv amerikan "Fox", në prag të largimit nga Beogradi për të marrë një detyrë të re në Bagdad të Irakut, vuri në dukje se Serbia po bashkëpunon me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe se, mbi bazën e bisedave që ka zhvilluar me zyrtarët përkatës serbë, ai është i bindur se Serbia po bën gjithçka që ka në dorë, që ti gjejë, ti arrestojë dhe t‘i dorëzojë kryekriminelët e luftës që janë ende në arrati.

Duke folur për vizitën e fundit të nënpresidentit të SHBA-së, Xho Bajden, në Beograd, z. Manter theksoi se në bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Serbisë u arrit deri në nivelin, kur të dyja palët mund ti thonë hapur njëra-tjetrës se ato janë dakord se të dy vendet kanë qëndrime të ndryshme për çështjen e Kosovës, por se kjo nuk ka pse të jetë pengesë për bashkëpunimin e ndërsjellë në fusha të tjera. Sipas ambasadorit amerikan, në bashkëpunimin mes tyre të dy vendet mund të jenë fitues, se SHBA janë gati ta shtrijnë bashkëpunimin me Serbinë në fusha nga më të ndryshme, përfshirë edhe kualifikimin dhe stërvitjen e kuadrit ushtarak serb.

Ambasadori amerikan i deritanishëm në Beograd, gjithashtu, vuri në dukje se gjatë një bisede të fundit që kishte pasur me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, atij i ishte krijuar përshtypja se ai është në favor të ruajtjes së Marrëveshjes së Dejtonit dhe të integritetit të Bosnjë- Hercegovinës. Si garant i Marrëveshjes së Dejtonit, Tadiçi duhet të jetë një shtetar që e kupton se suksesi i Serbisë mbështetet te suksesi i të gjithëve në rajon, deklaroi z.Manter, duke theksuar, ndërkohë, se ai kishte kaluar mirë në Beograd, pavarësisht nga disa situata të rënda, sikurse ishte djegia e ambasadës amerikane në Beograd, në shkurt të vitit të kaluar, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. "Dua të theksoj se jam i ndërgjegjshëm se këto kanë qenë dy dhjetëvjeçare të vështira, por, sidoqoftë, jam mirënjohës për periudhën e kaluar këtu, në Beograd, dhe mesazhi im në adresë të qytetarëve është që të vazhdojnë të kenë besim te vetja dhe se ata do të arrijnë qëllimet e dëshiruara, se jo vetëm që Serbia do të bëhet anëtare e BE-së, por edhe jeta juaj do të bëhet më e mirë", theksoi ambasadori amerikan Kameron Manter në edicionin e lajmeve të një prej kanaleve televizive amerikane më të mëdha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›