E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarkozi: Ne, përkrah shtetit të ri të Kosovës

Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, ka pritur në Paris Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Presidenca Franceze ka njoftuar se në takimin, e zhvilluar në Pallatin presidencial ‘l‘Elysée‘ është biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes Francës dhe Republikës së Re të Kosovës, si dhe bashkëpunimin e ardhshëm që do të mundësojë thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. "Do të riafirmohet përkrahja e plotë e Francës për këtë shtet të ri", thuhet në një kumtesë të lëshuar nga Zyra e Presidentit të Francës. Franca është kontribuuesi i dytë i misionit evropian EULEX dhe kontribuuesi i katërt në kuadër të KFOR-it. "Franca është e angazhuar plotësisht përkrah Kosovës, për ta shoqëruar në rrugën e konsolidimit demokratik dhe të prosperitetit. Në takim është diskutuar edhe rreth përfshirjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare", thuhej në kumtesën e Kabinetit të Presidentit Sarkozi. Gjatë vizitës, Kryeministri Hashim Thaçi zhvilloi një drekë pune edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner. Në vizitën e tij zyrtare në Francë, Thaçi shoqërohej nga Ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni, si dhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritarë. Kryeministri Hashim Thaçi mbajti gjithashtu një fjalim në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Ndërkombëtare (CERI), si dhe një konferencë shtypi në Qendrën për Media të Huaja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›