PARIS – Macron: 26 vende do të garantojnë siguri për Ukrainën në tokë, det dhe ajër

PARIS, 4 shtator /ATSH-AFP/- Njëzet e gjashtë vende, kryesisht evropiane, janë angazhuar të marrin pjesë në një forcë sigurie në kuadër të një armëpushimi të ardhshëm mes Rusisë dhe Ukrainës, duke dërguar trupa në Ukrainë ose duke qenë të pranishëm në tokë, në det apo në ajër, njoftoi sot presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Kjo forcë nuk ka për qëllim apo synim të zhvillojë ndonjë luftë kundër Rusisë”, tha presidenti francez para gazetarëve në Paris, pas një takimi të “koalicionit të vullnetshëmve”.
Pas një bisede me video-konferencë me Donald Trump, ai siguroi se “mbështetja amerikane” për këto “garanci sigurie” për Kievin do të finalizohet “në ditët e ardhshme”.
Emmanuel Macron shtoi gjithashtu se evropianët do të vendosin sanksione të reja “në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” nëse Moska vazhdon të refuzojë paqen.
Macron deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë “shumë të qarta” për “vullnetin e tyre për të qenë pjesë e garancive të sigurisë” në Ukrainë, pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje mes Kievit dhe Rusisë.
Presidenti francez kishte theksuar pak më herët se mbështetja amerikane për këto garanci sigurie do të finalizohej “në ditët e ardhshme”./ /Ad.Ab./