PARIS – Starmer: BM-ja dhe Franca do të udhëheqin misionin në Ngushticën e Hormuzit pas përfundimit të luftës

PARIS, 17 prill /ATSH-DPA/- Britania e Madhe dhe Franca do të udhëheqin një mision paqësor për të mbrojtur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, deklaroi sot kryeministri britanik, Keir Starmer.
Starmer tha se misioni do të vendoset sapo të lejojnë kushtet, pasi të përfundojnë armiqësitë në luftën me Iranin.
Kryeministri britanik dhe presidenti francez Emmanuel Macron pritën sot në Paris një takim të liderëve botërorë, për të diskutuar mënyrat, për të siguruar qarkullimin e anijeve në këtë rrugë jetike për transportin e naftës dhe gazit, pas përfundimit të luftimeve.
Ndërsa bisedimet zhvilloheshin në kryeqytetin francez, Irani deklaroi se ka rihapur ngushticën për lundrim, një hap i mirëpritur nga presidenti amerikan, Donald Trump.
“Mund të konfirmoj se, së bashku me Francën, Britania e Madhe do të udhëheqë një mision shumëkombësh për të mbrojtur lirinë e lundrimit sapo të na lejojnë kushtet”, theksoi Starmer.
“Ky do të jetë një mision rreptësisht paqësor dhe mbrojtës, i cili synon të sigurojë anijet tregtare dhe të mbështesë pastrimin e minave”, shtoi ai.
“Ftojmë të gjitha vendet që kanë interes në rrjedhën e lirë të tregtisë globale të bashkohen me ne. Disa vende tashmë kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar”, tha Starmer.
“Do ta çojmë këtë nismë përpara, me një konferencë në Londër javën e ardhshme, ku do të njoftohen më shumë detaje mbi përbërjen e misionit, dhe vendet që kanë ofruar tashmë kontribute me mjete dhe kapacitete”, tha ai. //a.i/