E Shtunë, 31 Tetor 2026

PAVARËSIsht rezultatit, test pozitiv

Kombëtarja B e Shqipërisë e ka nderuar përfaqësuesen e Kosovës në futboll, në një ndeshje miqësore që u zhvillua të mërkurën në stadiumin e qytetit në Prishtinë për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Yjet e futbollit shqiptar bashkë me ata kosovarë, të ndihmuar nga futbollistë që luajnë jashtë vendit, kanë dhuruar atmosferë duke shënuar 5 gola në stadiumin e mbushur me baltë në Prishtinë.

Ndeshjen e përcolli një numër i madh i shikuesve, të cilët nuk i ndali as shiu që binte herë pas here për t’i përkrahur të dyja ekipet. Shqipëria fitoi 3:2 në një ndeshje, ku rezultati nuk ishte në plan të parë.

Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 6-të përmes Ditmar Bicajt, i cili e shfrytëzoi mirë një harkim të Bakajt. Kaltër e bardhët e barazuan rezultatin në minutën e 20-të, kur Shpëtim Hasani e shfrytëzon për mrekulli një harkim nga e djathta të Zabërxhës, 1:1.

11 minuta më pas, Robert Gjeraj ndërhyn në zonë ndaj Gjergji Muzakës dhe gjyqtari jep penallti. I saktë nga 11 metra ishte pikërisht Muzaka për rezultatin 1:2.

Në pjesën e dytë, kosovarët luajtën më mirë dhe si fryt i kësaj arriti edhe goli i barazimit, të cilin e realizoi Dukagjin Gashi në minutën e 75-të me një projektil nga distanca. Kur të gjithë prisnin që ndeshja të përfundonte baras, në minutën e fundit të ndeshjes, Bekim Bala i mysafirëve e shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes vendëse për rezultatin përfundimtar, 2:3.

Pa dyshim, njëri prej futbollistëve më të mirë në fushë ishte mesfushori kosovar Anel Raskaj, që luan në Suedi tek ekipi Halmstad. Kjo ishte hera e dytë që ai luan për Kosovën, e para përpara tifozëve kosovarë.

“Ishte nder i madh për mua të luaja për Kosovën. Erdha këtu me gjithë qejf. Edhe pse ishim në vazhdën e përgatitjeve, klubi më liroi pa problem. Ne merituam ndoshta një rezultat më të mirë, patëm raste, por nuk është problem pse humbëm. Me rëndësi është se loja ishte e mirë dhe ndjenja ishte fantastike”, tha numri 8 i përfaqësueses.

Në anën tjetër, Elis Bakaj edhe një herë e konfirmoi se mund të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare në ndeshjet zyrtare. Edhe për të ishte ndjenjë e mirë që mori pjesë në një ndeshje me karakter të tillë.

“Ishte kënaqësi të luaja këtu. Ne jemi të gjithë shqiptarë, jemi një komb. Këtu luajtëm me disa shokë kosovarë që njihemi me ta. Do të mundohemi ta ndihmojmë Kosovën sa të mundemi. Terreni ishte paksa i papërshtatshëm, por ne u kënaqëm duke luajtur”, tha ai.

Ndërsa për përzgjedhësin kosovar, Albert Bunjaku, kjo ndeshje ishte e rëndësishme për t’i parë më nga afër futbollistët që kishte zgjedhur. Përkundër humbjes, ai u nda i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij.

“Kjo ndeshje pati karakter humanitar dhe sportiv. Futbollistët tanë ishin shumë të motivuar, kështu që u desh të kishin kujdes të mos bëheshin më agresivë. Lojtarët e mi treguan vullnet të mirë dhe kam marrë informata nga ta. Në aspektin fizik, Shqipëria u pa që ishte më e përgatitur sepse atje ka nisur sezoni tashmë. Unë bëra ndryshime sepse lojtarët ende janë në fazën përgatitore. Në përgjithësi jam i kënaqur, sidomos me pjesën e dytë”, u shpreh Bunjaku i cili shpreson që më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit, të luajnë sërish këto skuadra në Shqipëri.

Në anën tjetër, Kuze u ndie i emocionuar nga pritja që iu bë delegacionit shqiptar në Kosovë. Trajneri kroat tha se në Prishtinë kishte ardhur për fitore, derisa e lavdëroi edhe kualitetin e ekipit kosovar.

“Ndihem i emocionuar që pas 22 vjetësh vizitoj Kosovën. Këtu kam kaluar çaste të mira kur isha si trajner edhe si futbollist. Kur të zhvilloni ndeshje ndërkombëtare, unë do të jem tifoz i flaktë i Kosovës. Më vjen mirë që tash e keni shtetin tuaj”, ka deklaruar kroati gjatë konferencës për shtyp.

Ai po ashtu i falënderoi tifozët kosovarë që e përcjellin Kombëtaren shqiptare gjithmonë në Tiranë, për të cilët tha se gjithmonë e ngjallin atmosferën në stadium.

Kurse presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i ka falënderuar drejtuesit e FFK-së për ftesën dhe për mikpritjen.

Delegacioni shqiptar dhe ai kosovar gjatë ditës së mërkurë kanë pasur një takim me presidentin Fatmir Sejdiu, ndërsa kanë vizituar varrin e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, dhe kompleksin memorial të Jasharajve.

Ndërsa, siç është paralajmëruat, të ardhurat nga kjo ndeshje do t’u dedikohen familjeve që u prekën nga përmbytjet e fundit në Shqipëri.

Kuzhe veçon Raskajn e Papuqin

Nëse për Albert Bunjakun kjo ndeshje ishte mundësi e mirë për t’i parë se cilët futbollistë mund të jenë pjesë e përfaqësueses në të ardhmen, një gjë e tillë mund të thuhet edhe për selektorin e Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe.

Përpos që pati mundësi t’i shohë nga afër futbollistët e tij, syve të trajnerit kroat nuk u ikën dy futbollistë kosovarë: mesfushori i Halmstadit, Anel Raskaj dhe mbrojtësi i Hysit, Fisnik Papuqi.

“Po, më ranë në sy disa futbollistë, por më pëlqyen në veçanti numri 8 (Raskaj), por edhe lojtari me numër 5 (Papuqi). Në të ardhmen mund t’i përcjell edhe nga afër këta futbollistë, pse jo”, tha selektori i ekipit kuqezi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›