E Diel, 1 Nëntor 2026

PBDNJ, Dule: ‘Martesa’ me PS ka mbaruar, votoj Nanon president

TIRANE - Vangjel Dule dhe Edi Rama nuk janë më aleatë. Këtë e ka pohuar vetë kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në një intervistë në studion e lajmeve të televizionit ABC NEWS.

Kreu i PBDNJ-së tha se “‘martesa’ me PS ishte e vlefshme për zgjedhjet e 2011-ës dhe për disa qëndrime të përbashkëta. Ju keni parë se në vendimet e fundit të Kuvendit, ne kemi mbajtur qëndrime që nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me Partinë Socialiste”, tha ai. I pyetur mbi ngjarjen kryesore të politikës shqiptare për këtë vit, zgjedhjet e Presidentit të Republikës, kreu i PBDNJ u shpreh se “për vlerësimin tim personal, Fatos Nano do të ishte rast ideal për Presidencën. Është politikan që na ka mësuar institucionin e dorëheqjes, është politikan që na ka mësuar institucionin e njohjes së zgjedhjeve të humbura. Na ka mësuar kritikën edhe ndaj vetë forcës që ka drejtuar, gjëra që hasen rrallë në politikën ku mbizotëron fanatizmi partiak”, deklaroi Dule.

Kreu i PBDNJ-së ka theksuar gjithashtu se në rast të votimit të kësaj kandidature, vota e tij do të shkojë për Fatos Nanon. Ai ka komentuar dhe debatin për zgjedhjen e kreut të shtetit, duke theksuar se “nuk ka mundësi të zgjedhësh presidentin pa respektuar Kushtetuten”.

Ai ka theksuar gjithashtu se klasa politike duhet të zgjedhë modelin grek, ku mazhoranca ia jep mundësinë e propozimeve gjithmonë opozitës. “Por pse të zgjedhim mes të dëshirueshmes dhe të detyrueshmes. 71 është detyrues, pse të mos zgjedhim të dëshirueshmen. Jam për njerëz nga politika. Politika ka njerëz tepër të aftë. PD ka njerëz shumë të aftë, PS-ja po ashtu”, tha Dule.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›