E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ jashtë koalicionit të PS-së

23/03/2011  Himara molla e sherrit mes dy partive kryesore të majta

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk do të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor me Partinë Socialiste, kjo për shkak të mosgjetjes së një zgjidhjeje mbi përzgjedhjen e një kandidature të mirëpritur për palët lidhur me bashkinë e Himarës. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se dje deri në orët e vona të darkës kanë vijuar negociatat mes përfaqësuesve të këtyre dy partive politike për të rakorduar mënyrat se si do të bashkëpunohet në zgjedhjet lokale të 8 majit. Në këtë mënyrë, pas vendosjes së palëkundur të PBDNJ-së për t’u përfaqësuar me emrin e Vasil Bollanos si kandidat për kreun e bashkisë së Himarës, lidershipi socialist ka vendosur të ndjekë një tjetër strategji me aleaten e saj. Kësisoj, nëse PBDNJ-ja do të ishte pjesë e aleancës me PS-së, ajo nuk do të kishte mundësi të konkurronte me kandidatë më vete në ato zona ku i duhej të mbështeste aleaten e saj kryesore. Për më tepër që në kalkulimet e bëra nga përfaqësuesi politikë të tyre ka rezultuar se, nëse të dyja këto parti do të dilnin me një kandidat të përbashkët në Himarë, atëherë rreziku për rrjedhjen e votave nga e majta në të djathtë do të ishte maksimal, kjo për shkak të pakënaqësive që shumica e banorëve ka ndaj kreut aktual të bashkisë, pretendet për një tjetër mandat, Vasil Bollano. Në këtë mënyrë, pritet që PBDNJ-ja të regjistrohet sot në Komision Qendror Zgjedhor si një subjekt politik që kandidon i vetëm në garën elektorale për pushtetin vendor. Ndërkohë që po sot, kur skadon afati i regjistrimit në këtë institucion i subjekteve politike që do të jenë pjesë e këtij procesi, pritet që Partia Socialiste të dorëzojë në KQZ kërkesën për regjistrim, ku ka mbledhur pranë saj plot 24 parti. Nga ana e saj Partia Demokratike ka nënshkruar marrëveshje me 22 subjekte politike. Ndryshe nga partitë që u duhej të mblidhnin firmat për të qenë pjesë e kësaj garë elektorale, PBDNJ-së, si një parti parlamentare, i lind e drejta të konkurrojë e vetme në zgjedhje pa qenë e nevojshme të jetë pjesë e një aleance zgjedhore. Por mësohet se, edhe pse jashtë koalicionit me PS-në, këto dy parti do të bashkëpunojnë teknikisht me njëra-tjetrën, duke synuar fitoren e zgjedhjeve të 8 majit. Ndërkohë që jashtë koalicionit të saj PS-ja ka lënë dhe partinë e komunistëve dhe atë të drejtuar nga Koço Danaj, duke refuzuar që të ketë në aleancën e gjerë këto dy subjekte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›