E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moskthimi i pronave, vazhdim i persekucionit 44-vjeçar

23/03/2011  Dalin në deklaratë të përbashkët myftiu i Shkodrës dhe përfaqësuesi i Kishës Ortodokse

SHKODER- Indiferenca që po tregohet në drejtim të kthimit të pronave të dy komuniteteve fetare, atij mysliman dhe atij ortodoks ka bërë që drejtuesit e këtyre dy komuniteteve të dalin në një deklaratë të përbashkët për shtyp. Në deklaratat e tyre, myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, dhe përfaqësuesi i Kishës Ortodokse At Nikolla Petani kanë theksuar se për sa i përket kthimit të pronës, dy komunitetet që përfaqësojnë janë më të persekutuarat gjatë këtyre 20 viteve.

Indinjata

Dalja së bashku në një deklaratë për shtyp për të kërkuar kthimin e pronave u bë nisur nga mosspasja e asnjë reagimi nga ana e strukturave përkatëse shtetërore në lidhje me problemet e ngritura prej tyre. Në sinkron me njëri-tjetrin si myftiu Sytari, ashtu dhe at Petani u shprehën se nuk do të ndalen në kërkesat e tyre për kthimin e të gjithë pronave të komuniteteve fetare përkatëse, pasi është një e drejtë e shenjtë ligjore që iu është mohuar për më se 40 viteve. Gjatë deklaratave të tyre drejtuesit e komuniteteve fetare dhe ortodokse theksuan se deklaratat janë parapritëse të protestave të ligjshme që do të bëhen në ditët në vijim me mbështetjen e besimtarëve, në rast se nuk do të ketë reagime konkrete për kthimin e pronave. “Mendojmë se moskthimi i pronave është pjesë e një persekucioni ndaj institucioneve tona. Nuk po i bëjmë këto deklarata në këtë kohë as për arsye të zgjedhjeve, as për arsye të politikave të caktuara, por e bëjmë për politikat dhe interesat e komuniteteve tona. Dy komunitetet tona, në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre 20 viteve e kanë ngritur zërin për të kërkuar disa të drejta legjitime që iu janë mohuar dhe u janë prekur nga realitete të ndryshme, histori të ndryshme të këtij vendi. Mendojmë se për ne janë 44 vite që pronat tona na janë marrë, na janë sekuestruar, na janë tjetërsuar dhe të drejtat nuk po shkojnë në vend”, theksoi myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari. Nga ana e tij përfaqësuesi i kishës ortodokse Shkodër At Nikolla Petani theksoi se një komunitet fetar pa prona është si një trup që i janë prerë damarët dhe nuk funksionon më. “Nuk është diçka që i përket at Nillokës, apo myfti Sytarit, nuk është diçka personale, por është pronë që i përket një komuniteti dhe ne na kërkohet të bëjmë diçka për pronat, pasi do jenë për brezat e ardhshëm. Presim reagime dhe shpresojmë e lutemi që të kemi reagime pozitive”, theksoi at Nikolla Petani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›