E Diel, 1 Nëntor 2026

PBDNJ merr shumicen ne zgjedhjet e pjesshme

21/10/2009  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi gjatë mbledhjes së djeshme ngritjen e pesë komisioneve zonale të administrimit zgjedhor, që do të funksionojnë për zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit. Nga këto, në tri prej tyre shumicën do ta ketë PBDNJ-ja, e cila do të përfaqësohet me katër anëtarë nga shtatë që ka gjithsej komisioni dhe në dy KZAZ-të e tjera do të ketë vetëm 3 komisionerë. Madje, në tre prej tyre ajo do të ketë edhe kryesimin e komisioneve, që sipas shortit i takonin PS-së. Në këtë mënyrë, PBDNJ-ja do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-së nr. 2, qarku i Beratit, KZAZ-së nr. 36, qarku i Kukësit dhe KZAZ-së nr. 54, qarku i Tiranës për zgjedhjet e pjesshme për kreun e qeverisjes vendore. Ndërsa Partisë Demokratike i lind e drejta të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-së nr. 6, qarku i Dibrës dhe KZAZ-së nr. 43, qarku i Shkodrës. Kjo forcë politike do të plotësojë boshllëkun e krijuar nga partia më e madhe e opozitës duke u përfaqësuar në përbërjen e KZAZ-ve, pas vendimit të PS-së për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme elektorale. KQZ-ja për këtë çështje vendosi t’i përcjellë PBDNJ-së kërkesën zyrtare për plotësimin e vendeve të lëna nga PS-ja. “Përgatitni një shkresë për PBDNJ-në dhe t’ia dërgojmë për të plotësuar vendet bosh në KZAZ-të”, - kërkoi kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, nga administrata e tij. Sipas nenit 29 të Kodit Zgjedhor, ngritja e KZAZ-ve bëhet sipas kësaj procedure: dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Në rast se nuk arrihet ky baraspeshim politik, grupi përkatës kompensohet me kandidaturat e partisë kryesore deri në baraspeshimin politik shumicë-opozitë. Me konstituimin e KZAZ-ve partitë politike do të regjistrojnë kandidatët pranë tyre.

Kostoja e zgjedhjeve vendore

Kostoja financiare e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 15 nëntorit parashikohet të jetë rreth 9.606.746 lekë. KQZ-ja miratoi listën e shpenzimeve buxhetore për zgjedhjet në pesë njësitë, ku sipas zërave shpenzimet parashikojnë pagat e personelit të përkohshëm, shpërblimin për anëtarët e KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve si dhe shpenzime për fletët e votimit, materialeve për shtypshkrime, shërbime transporti, udhëtime, dieta etj.

Heshtja e PS-së

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaroi se institucioni që ai kryeson e ka mbyllur përmes shkresave komunikimin zyrtar me PS-në për sjelljen e propozimeve për anëtarët e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor. “Ne me shkresa e kemi mbyllur komunikimin zyrtar me PS-në. Mungesa e përgjigjes është normalisht përgjigje negative”, - u shpreh kryetari Ristani gjatë mbledhjes së djeshme.

Caktimi i VNV-ve për pesë njësi

KQZ zgjedh ambiente shtetërore për tri ZAZ

Vendet e numërimit të votave për rezultatin e zgjedhjeve vendore që do të zhvillohen më 15 nëntor, do të jenë ambiente shtetërore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të diskutojë në mbledhjen e sotme miratimin e të paktën tri qendrave të numërimit të votave, ku sipas propozimit të prefektëve janë propozuar palestra shkolle si dhe salla e një pallati kulture. Më konkretisht, prefekti i qarkut të Tiranës ka vënë në dispozicion ambientet që mund të shërbejnë si vende të numërimit të votave për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të njësisë bashkiake nr. 10, Bashkia e Tiranës, ku mes të cilave më e përshtatshme vlerësohet palestra e shkollës “Konferenca e Pezës”. Për caktimin e vendit të numërimit të votave të ZAZ-së nr. 36, qarku i Kukësit për zgjedhjet e pjesshme janë propozuar tri ambiente dhe mes tyre është zgjedhur si më e përshtatshme palestra e shkollës Fierzë, e cila ndodhet në qendër të komunës Fierzë, qarku i Kukësit. Ndërsa vendi i numërimit të votave në ZAZ-në nr. 2 do të vendoset në sallën e pallatit të kulturës “Dëshmorët e Lapardhasë”, fshati Lapardha, komuna Otllak. Për këtë vend të numërimit të votave prefekti i Beratit kishte propozuar edhe dy ambiente private, lokale, që ndodhen në fshatin Otllak.

Avokati i popullit kundër qeverisë

Kushtetuesja nis gjykimin e ligjit për mbivendosjen

Gjykata Kushtetuese hapi dje seancën dëgjimore ndaj kërkesës ankimore të Avokatit të Popullit për të shfuqizuar si antikushtetue të disa paragrafëve të ligjit nr. 7843 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, paragrafë që lidhen me mbivendosjen e pronësisë. Anëtarët e trupit gjykues kanë dëgjuar pretendimet e të gjitha palëve pjesëmarrëse në proces. Avokati i Popullit përmes përfaqësuesit të tij kërkoi shfuqizimin e nenit që parashikon fshirje nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të regjistrimeve të bëra për një pronësi pas të parit. Kjo dispozitë, sipas Avokatit të Popullit, bie në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës dhe nenin 153 të Kodit Civil. Në këtë rast kemi të bëjmë me tejkalim kompetencash, madje ndërhyrje edhe në të drejtën e pushtetit gjyqësor. Ndërsa qeveria argumentoi se ndryshimet ligjore janë ndërmarrë për të verifikuar ligjshmërinë e dhënies së titujve të pronësisë dhe për t’u dhënë fund abuzimeve të bëra në vite me pronat, kur për një pasuri rezultojnë deri në 6 pronarë. Aktualisht të drejtën për të anuluar pronësinë e ka prefekti, agjencia e pronave si dhe hipoteka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›