PD, 21 vite në udhëheqje të evropianizimit të Shqipërisë

Përvjetori i partisë së parë opozitare në Shqipëri është kremtuar me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, nënshkrimin e MSA-së, anëtarësimin në NATO dhe heqjen e vizave për të gjithë shqiptarët. Partia Demokratike e ka festuar dje 21-vjetorin, si forcë udhëheqëse e këtyre reformave dhe premton përshpejtimin e ritmeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian
Partia Demokratike kremtoi dje 21 vjetorin e themelimit të saj, mes shumë të pranishmëve jo vetëm simpatizantë, deputetë dhe ministra, por edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë si kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, kreu i delegacionit të Komisionit Evropian, Ettore Sequi, ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu dhe ambasadorë të tjerë të akredituar në Tiranë.
Të pranishmi kujtuan zhvillimet e para demokratike, në vendet e Europës Lindore e mbi të gjitha rrëzimi i Murit të Berlinit, ishin sinjalet e qarta se historia e Shqipërisë dhe popullit shqiptar do të ndryshonte thellësisht.
Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri i vendit, Sali Berisha, themelues dhe drejtues i lëvizjeve studentore për pluralizëm politik, vlerësoi se viti ’90-të do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si viti i mrekullive të këtij vendi. Kryeministri Berisha nderoi studentet dhe studentët e universitetit të Tiranës, me në krye tribunin e lirisë Azem Hajdari, të cilët luftuan kundër të keqes komuniste si beteja e Davidit kundër Golias.
“Pavarësia pa demokraci de facto nuk është Pavarësi. Viti 90-të do mbetet në kujtesën e shqiptarëve si viti mrekullive të këtij vendi”, u shpreh Berisha.
Kreu i ekzekutivit bëri një retrospektivë ndër vite duke sjellë në vëmendjen e të gjithëve atë që ai e quajti “diktatura më e egër në lindje”.
Berisha vlerësoi kontributin e të gjithë popullit shqiptar si dhe të miqve europianë në rrugën progresiste të Shqipërisë.
“Sot është 21 vjetori të krijimit të Partisë Demokratike, partisë së parë opozitare në vend , partisë së parë të progresit. Viti 90-të do mbetet në kujtesë si viti i mrekullive të Shqipërisë. 21 vjet më parë ishim të vetmit në botë me liri themelore dhe besim fetar të ndaluar. Regjimi komunist hoxhist ishte më i egri, pas atij të Bashkimit Sovjetik. Studentët me në krye tribunën e lirisë Azem Hajdari gjunjëzuan diktaturën komuniste, themeluan pluralizmin politik. Sonte festojmë ditëlindjen e lirive individuale, shqiptarët e provuan se pavarësia pa demokraci de facto nuk është pavarësi. Pluralizmi dhe pavarësia janë dy faqe të ndritura të historisë tonë. Ne festojmë si vend i votës së lirë, fjalës së lirë, respektimit të të drejtave të njeriut, si vend i institucioneve ligjore. Përparësi e PD-së është dhe do vazhdojë të jetë sigurimi dhe garantimi i lirisë së qytetarëve. Diktatura hoxhiste mori qindra e mijëra jetë. Viti 90-të krahas të tjerave është dhe viti i lindjes së ekonomisë së lirë të tregut. Sot ne nuk jemi ndër vendet e pasura por jemi vend me ekonomi të qëndrueshme. Në 21 vjet të ardhurat për frymë janë rritur 40 herë, eksportet janë dyfishuar çdo dy vjet, potencialet natyrore kanë tërhequr turistë nga e gjithë bota, janë rritur rrogat dhe pensionet, është transformuar infrastruktura. Vende të reja punë për shqiptarët dhe kryesisht për të rinjtë do mbeten prioritet i vendit. 90-ta është viti i përmbysjes së diktaturës me rrugë paqësore. Diktatura hoxhiste e Ramiz Alisë dëshmoi se kishin prehur hanxharët ndaj çdo përpjekje për të shtypur pushtetin e tyre. Klika hoxhiste u zhduk në bunkerët e tyre. PD e dëshmoi veten si parti e vlerave të paqes”, vlerësoi kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se përgjatë këtyre 21 vjetëve Shqipëria ka hapur një faqe të re historike duke realizuar progres të madh në zhvillimin e vendit dhe të mirë integruar në aleancat më të rëndësishme në Europë. Berisha theksoi se prioritet i shekullit për çdo shqiptar do të jetë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“PD ka qenë dhe mbetet parti e dialogut, besimit, konsensusit në dobi të interesave të kombit. PD është forca e parë politike në lindje që shpalli si prioritet anëtarësimin në Evropë. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, lëvizim pa viza ndërsa integrimi i vendit në BE do të jetë projekti i shekullit për çdo shqiptar”, tha më tej kreu i PD-së, Berisha. Lëvizja studentore në fillim të dhjetorit 1990, shtyu një grup studentësh dhe intelektualësh, të krijonin të parën forcë politike opozitare në Shqipëri, e cila do t’i jepte fund diktaturës komuniste dhe do të promovonte vlerat europiane për liri dhe demokraci. Thirrjet
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, mbushën rrugët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Sali Berisha, mjek kardiolog ishte në krye të lëvizjes së ndryshimit të madh të vendit. Duke marrë mbështetjen e të gjithë grupit nismëtar, Sali Berisha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike.
Në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, komunistët e Partisë së Punës rikonfirmohen në drejtimin e vendit dhe Partia Demokratike renditet në opozitë. Por, një vit më pas, në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Partia Demokratike fiton zgjedhjet. Prioritetet e programit politik të Partisë Demokratike ishin modernizimi dhe integrimi i vendit në strukturat euroatlantike. Sot pas 21 vitesh Shqipëria ka realizuar një pjesë të mirë të premtimeve të lëvizjes për liri dhe demokraci. Sot është anëtare e Këshillit të Evropës, anëtare me të drejta të plota e NATO-s si dhe një nga vendet potencialisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një vit më parë Shqipëria përfitoi liberalizimin e vizave me vendet e BE, ndërsa vitin e ardhshëm Brukseli ka premtuar akordimin e statusit të vendit kandidat. Një tjetër ideal i lëvizjeve të dhjetorit, ishte liria dhe pavarësia e Kosovës. Shteti më i ri shqiptar në Ballkan, tashmë është i pavarur dhe vazhdon rrugëtimin drejt strukturave euro-atlantike. 21 vjetori i themelimit të PD, me të drejtë mund të thuhet se ka realizuar idealin e lëvizjeve studentore të dhjetor ’90-ës, me moton “E duam Shqipërisë si gjithë Europa”. Shqipëria është më pranë Europës, ndërsa Brukseli çel dyert e tij për aspiratën mbarëkombëtare të shqiptarëve, vitin e ardhshëm, në 100 vjetorin e Pavarësisë së kombit, duke akorduar statusin e vendit kandidat. Ndaj, 2012-a, është jo vetëm 100 vjetori i themelimit të shtetit shqiptar në tërësinë e tij, por njëherazi vizioni i një shekulli të ri, me prioritet kryesor anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Berisha falënderon shqiptarët, për solidaritetin pas kalimit të gjendjes virale
Kryeministri shprehu mbrëmë mirënjohjen ndaj të gjithë miqve dhe të ftuarve në përvjetorin e krijimit të PD-së, të cilët shprehën solidaritetin, pas gjendjes së debolesës që ai kaloi në përfundim të fjalimit. Pas konsultës mjekësore, njoftohet për parametra normale dhe gjendje shëndetësore të stabilizuar të kryeministrit
Dje në mbrëmje, Kryeministri Berisha pati një gjendje lodhjeje në përfundim të fjalës së tij, me rastin e 21 vjetorit të Partisë Demokratike. Zyra e Shtypit pranë Kryeministrit bën të ditur se “pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur me një virozë, për të cilën Kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar”.
Kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq dhe të ftuar dhe më pas u kthye në apartamentin e tij. “Kryeministri Berisha u shpreh mirënjohjen të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike, miqve dhe të ftuarve në përvjetorin e krijimit të PD-së, për interesimin e treguar dhe uron dhe njëherë gëzuar festën”, përfundon njoftimi i zyrës së shtypit pranë Kryeministrit.
Presidenti Bamir Topi refuzon ftesën për ceremoninë e 21-vjetorit të PD-së
Ish nënkryetari i Partisë Demokratike, aktualisht president i Republikës, Bamir Topi, ka refuzuar të marrë pjesë në ceremoninë festive që u zhvillua dje në Pallatin e Kongreseve, me rastin e 21 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, forca e parë politike opozitare në Shqipëri. Burime pranë PD-së, bënë të ditur se Bamir Topit i është dërguar ftesa nga ana e saj, për të marrë pjesë në kremtimet e lindjes së pluralizmit politik, ndërsa përgjigja e tij ka qenë negative, të cilën e ka konfirmuar mos pjesëmarrja e tij në ceremoni ku ishin të pranishëm jo vetëm ish themelues dhe simpatizantë të PD, por edhe përfaqësues të trupit diplomatik si ambasadori Arvizu, Sequi apo dhe Wollfarth.
Ftesa iu dërgua edhe kreut të PS, Edi Rama, por sikurse kreu i shtetit edhe lideri i opozitës, nuk mori pjesë.