“Të përcaktohen modele të qarta për përcaktimin e komisionerëve të 66 zonave zgjedhore”

Reforma Zgjedhore, flet ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata
Ish-kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata sugjeron komisionin parlamentar të reformës elektorale të përcaktojë modele të qarta për përcaktimin e komisionerëve në 66 zonat zgjedhore dhe 5000 qendrat e votimit. Sipas tij, klasa politike është ende në kohë për të aplikuar numërimin elektronik ose në rastin tjetër të përcaktojë nëpunësit shtetërorë përgjegjës për numërimin e votave dhe publikimit të rezultatit final. “Nuk është problemi te KQZ. Për mua të fillojë menjëherë puna me KQZ-në, domethënë me riformatimin apo çfarë mënyrë do të zgjedhin, kjo s’ka pikë rëndësie. Çështja është se si do të administrohen ato 5 mijë qendra votimi. Me çfarë komisionerësh? Si do të administrohen ato 66 zona zgjedhore? Me çfarë komisionerësh? Duke e shumëzuar këtë me 5 grupe numërimi. Pra, gjithë kjo ushtri e komisionerëve. Pra, çfarë koncepti do të fusim aty? Duhet të riformatojmë konceptin se si do të administrojmë votën. Qoftë edhe me makina. Kush do të jenë ata që do kontrollojnë makinat? Duhet të fusim nëpunësit shtetërorë përgjegjës për çështjet zgjedhore, jo më partitë. Po u larguan partitë nga zgjedhjet, po u orientua procesi ankimor drejt gjykatës, duke shmangur KQZ-në, mendoj se gjërat do të jenë të zgjidhura”, u shpreh Gjata. Eksperti i çështjeve zgjedhore ka komentuar edhe një ndër kërkesat e OSBE/ODIHR në raportin e fundit të tyre për reformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, duhet reformuar koncepti sesi duhet administruar vota. “Problemi duhet të qëndrojë tek ajo se sa vullnet do të ketë ta ekzekutojnë këtë kod që do të dalë nga kjo reformë. Si do të arrihet ekzekutimi në kuptimin e realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, por mbi të gjitha pritet të shohim cili do të jetë vullneti për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Gjithmonë aty kemi ngecur”, tha më tej ai. Gjata thekson se duhet vullnet politik për të pranuar rezultatin dhe partitë të distancohen nga grupet e numërimit. Çfarëdolloj vendimi që komisioni i reformës zgjedhore të marrë për formatimin e KQZ-së, duhet të ketë kritere dhe përcaktime të qarta për përzgjedhjen e komisionerëve në bazë.
...