Politikat e majta si kërcënuese kryesore të ekonomisë
Nisur gjithmonë nga rreziku i një efekti domino mbi vendet e tjera të eurozonës liderët e vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian janë treguar të matur në deklaratat mbi krizën flash të ishullit mesdhetar. Ka patur deklarata të shumta dhe është folur shumë se rasti i Qipros është një rast unikal por që nga ana tjetër nuk do të shërbejë si një model për të shpëtuar vende të tjera të eurozonës. Llogaritë e eurozonës nuk janë në rrezik ka deklaruar ministri i Financave të Gjermanisë, Wolfgang Shauble në një intervistë për Bild. Në fakt presidenti i Eurogrupit Dijsselbloem e mendonte ndryshe këtë problem duke theksuar se Qipro mund të shërbente si një model për krizat në vende të tjera. Për gjermanët kjo nuk mund të shërbente si një zgjidhje dhe për vendet e tjera të eurozonës sepse do të ishte e pamundur mjafton të kujtohet se ky vend ka furnizuar ishullin mesdhetar me para cash të marra nga rezervat e veta. Sepse nuk mund të ndodhë më që një avion gjerman i ngarkuar me 5 miliardë euro të niset nga Frankfurti për në kryeqytetin e një vendi të eurozonës. Nga ana tjetër ishte e vetmja zgjidhje në një kohë kur banka Qendrore Europiane nuk disponon rezerva cash por ka qenë vetë BQE që ka dhënë autorizimin për një zgjidhje të tillë. Sipas shtypit gjerman transportimi i 5 miliardë eurove ka nisur në fillim me disa kamionë të ngarkuar në oborrin e Bundesbank-ut nën kontrollin e një helikopteri dhe nën vëzhgimin e policisë së armatosur rrotull Bankës Qëndrore. Natyrisht kjo ishte një prej zgjidhjeve për Qipron dhe ndoshta jo të gjithë ka në qenë dakord për këtë. Sipas Paul Krugman, do të ishte më mirë që Qipro të linte eurozonën. Nobelisti amerikan për ekonominë (2008) ka deklaruar se: “Qipro duhet të braktisë euron. Tani. Motivi është i thjeshtë: të qëndrosh në euro do të thotë që të kesh një depresion shumë të rëndë, që do të zgjasë për vite me radhë, ndërsa Qipro kërkon të ndërtojë një sektor të ri në eksporte. Duke braktisur euron, dhe duke lënë taksën e këmbimit të monedhës së re shumë të ulët, gjithcka do të ishte ndryshe”. Sidoqoftë problemet në ishullin mesdhetar kanë qenë të shumta por tashmë hapja e bankave qipriote duket si një lajm pozitiv. Vërtet që ka ende kufizime për të transferuar fonde për të tërhequr para dhe për të kryer pagesat me karta krediti por situata duket më e qetë edhe pse ka një limit mujor që arrin në 5 mijë euro. Ndërkaq ka shpërthyer edhe skandalet e para për milionat e dhuruara nga shoqëri të ndryshme dhe deputetë në tre bankat kryesore të Qipros të cilat kishin dhënë edhe hua të larta për personalitetet e larta të ishullit. Tashmë edhe kjo histori i ka kaluar komisionit të Etikës të Parlamentit pasi ishte botuar më parë nga një gazetë greke. Banka e Qipros, Laiki Bank dhe Hellenik Bank vetëm në këto vitet e fundit kishin “fshirë” miliona euro për hua që i ishin dhënë shoqërive të ndryshme, deputetëve dhe krerëve lokalë të qyteteve kryesore të ishullit mesdhetar. Në këtë skandal është përfshirë më së shumti edhe partia komuniste Akel e ish presidentit Dimitris Kristofias. Banka e Qipros kishte “fshirë” një hua prej 2,8 miliardë euro për një hotel por edhe për veprimatri të tjera të kësaj partie të majtë. Edhe politikanëve të tjerë u janë hequr mijëra euro nga huatë e marra. Ndërsa Banka Laiki ka bërë të njëjtën gjë me deputettët komunistë duke i “fshirë” 5,8 milionë dollarë amerikanë. Nga ana tjetër e njëjta bankë ka favorizuar shumë ish gruan e një funksionari të lartë të një ministrie dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe me një kompani private të një ambasadori qipriot. Banka e tretë qipriote, Hellenik Bank mund të kosniderohet si më e shëndetshmja krahasuar me të tjerat edhe për faktin se është dhe më e vogla. Gjithsesi sipas gazetës greke Populli edhe kjo bankë i ka “fshirë” 543 mijë euro të një huaje prej 1,65 milionë që i ishte dhënë një shoqërie që i përkiste një partie të vogël dhe të majtë.