Shndërrimet ideologjike të Erion Velisë
(Mbi aksin e injorancës të Erion Qelisë )
Nëse del në fund të këtyre radhëve del kuptimi se Erion Velija nuk është një politikan, por një matrapaz idesh - ka shumë mundësi të jetë faji i tij. Sepse gjestet infantile të politikë-bërjes së kreut të G99 përfaqësojnë anti-kulturën politike. Të hyjmë në temë: në intervistën e tij të fundit televizive në kanalin 24-orë kronikë e zezë, Ai përcolli idenë se G99 de facto është shkrirë me Partinë Socialistë.
Sido që të jetë nuk na shqetëson përmbajtja 0.99 përqind e partisë së tij në tregtinë e politikës, por mënyra sesi e shpalli këtë shkrirje të ftohtë, në tavolinë. Siç identifikohet pa leje me Barack Obamën, po ashtu shndërrohet në të kundërtën e asaj çka ka propaganduar me mish e shpirt, deri në gjestikulacione e mimikë fytyre, mjaft të përfitonte bonuese përpara shefit Rama. Edhe pse në fillim presidenti Obama pat obseduar (shtriguar?) botën po t’i qëndrojmë një përkufizimi të një analisti liberal, shumë nga dishepujt e tij më pas e kanë tradhtuar hapur. Bile edhe në Shqipëri, është rasti i Erion Qelisë.
Ndonëse ai hyri paftuar në shtëpitë tona nëpërmjet medies, me fonacionin “Mjaft” duke u vetëshpallur si një Obama-boys; kur bën politikë dhe kur shkrin grupimin e tij, ai përdor terminologjinë konservatore të ish-presidentit të SHBA-ve, George W. Bush me “aksin e së keqes” kundra vendeve që sponsorizojnë terrorizmin si Irani, Iraku, Afganistani, Koreja e Veriut, etj. Shprehja aksi i së keqes (axis of evil) i ka fillesat e veta në aksin e hekurt Romë-Berlin-Tokio, më pas eshtë përdorur nga Ronald Regan me cilësimin si Perandoria e së keqes për Bashkimi Sovjetik, kurse Presidenti Bush nën sugjerimin e David Brum shpalli luftë kundër financuesve të terrorizmit ose të njohur ndryshe si “aksi i së keqes”.
Afërmendsh Erion Velija, i specializuar në trillime (infamy speech), si dhe me thyerjen e parimeve të shpallura, dëften se përkon me standardin dhe mishërimin e politikanit karrierist që ka për borxh të bëjë çdo gjë, të përqafojë çdo ideologji, çdo besim fetar, të ndërrojë çdo miqësi e çdo parti, vetëm e vetëm për të fituar një karrige pushteti. Me këtë veprim oportunist tregoi njëherë e mirë se është shëmbëlltyrë e hipokrizisë politike, demagogjisë retorike dhe e arrogancës të mbuluar me kostumin bosh të progresistit. Ka të gjitha elementet e nxënësit tipik që është i preferuari i mësuesit, servil i pashoq që spiunon shokët e klasës. Ka diçka të vërtetë në këtë mesele. Sikurse edhe fakti që fëmijët përgjithësisht të rritur pa prindër, shfaqin shpesh një karakter egocentrik dhe agresiv nëpërmjet arrogancës.
Me hyrjen në grevën e urisë, për t’i shpëtuar hetimit të prokurorisë për evazion fiskal - kohët e fundit si drejtues i G99, Erion Velija ka marrë pozat e karabinës jashtë-qitëse të Edi Ramës, duke u bërë kështu një sufler i zellshëm i pozicioneve të Partisë Socialiste në raport me aleatët e tjerë të së majtës. Natyrisht, falë këtij shërbimi mund të kapë ndonjë vend në listën elektorale të Partisë Sos-ialiste dhe të futet në parlament (ndofta edhe në vend të dikujt në LMN). Sigurisht, kësaj radhe po që qëllimi e justifikon mjetin e grevës së urisë.