Premtimi i qeverisë për heqjen e vizave, do jetë realitet i pakthyeshëm para fundit të vitit

Kryenegociatori shqiptar për vizat, Gazmend Turdiu: Vendimi i KE-së shënon hyrjen me sukses në etapën përmbyllëse të procesit
Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu bëri sot një rezyme të të gjitha arritjeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian. Kryenegociatori shqiptar, tha se vendimi i Komisionit Evropian për të propozuar përfshirjen e Shqipërisë në listën e bardhë “Schengen” shënon hyrjen me sukses në etapën përmbyllëse të procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, dhe njëkohësisht njohjen nga ana e strukturave të Komisionit Evropian të rezultateve të arritura në përmbushjen e kritereve të katër blloqeve të udhërrëfyesit.
“Në propozimin e Komisionit përmendet nevoja e plotësimit të tre kërkesave të papërmbushura ende plotësisht. Në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dëshiroj të garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se autoritetet përgjegjëse do vazhdojnë të punojnë fort për përmbushjen e këtyre kërkesave teknike, dhe se premtimi për lëvizjen pa viza në hapësirën “Schengen” do të jetë realitet para përfundimit të këtij viti.
Pasqyra përmbledhëse e arritjeve në secilin bllok:
Blloku i parë, Siguria e dokumenteve: është mundësuar paisja e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike të teknologjisë më të lartë bashkëkohore. Këto dokumente, të përgatitura dhe lëshuara në kushtet e sigurisë më të lartë, mundësojnë identifikimin e shpejtë dhe të saktë të mbajtësit të tyre nga çdo autoritet, duke shpejtuar dhe lehtësuar procedurat e kalimit të kufijve të huaj nga shtetasit tanë.
Blloku i dytë: Kontrolli i kufijve dhe çështjet e migracionit: është përmirësuar në mënyrë rrënjësore kontrolli i kufirit shtetëror, si atij tokësor, ashtu dhe detar. Kjo do të thotë se, nëpërmjet përmirësimeve ligjore e kuadrit të përgjithshëm rregullator, nëpërmjet koordinimit më të mirë të punës midis gjithë institucioneve dhe agjencive që bashkëpunojnë në garantimin e sigurisë së kufijve të Republikës së Shqipërisë, falë edhe investimeve dhe instalimit të teknologjive më bashkëkohore të kontrollit, janë arritur dy qëllimet bazë:
E para, për gjithë Pikat e Kalimit Kufitar, është lehtësuar dhe përshpejtuar procedura e identifikimit, shënimit në bazën qendrore të të dhënave, dhe lejimit të kalimit të kufirit për të gjithë shtetasit, shqiptarë apo të huaj, që plotësojnë kushtet për kalim të ligjshëm.
E dyta, janë ngushtuar pa masë hapësirat e kalimit të paligjshëm nëpër PKK, nëpër kufirin e gjelbër apo atë blu.
Me fjalë më të thjeshta: kaluesit e ligjshëm e kanë më të lehtë kalimin e kufirit, ndërsa kaluesit e paligjshëm e kanë shumë më të vështirë.
Blloku i tretë: Rendi Publik dhe Siguria: Plotësimi tashmë i të gjitha kritereve të udhërrëfyesit garanton që vendi ynë, duke i shërbyer së pari sigurisë së brendshme, nëpërmjet bashkëpunimit ligjor, institucional dhe operacional me partnerët e Bashkimit Evropian, është në gjendje të marrë mbi vete përgjegjësi për të kontribuar edhe për sigurinë e vendeve të tjera.
Blloku i katërt: Vendi ynë i ka plotësuar më së miri kushtet bazë që lidhen me çështje të marrëdhënieve me jashtë dhe me lëvizjen e lirë të personave.
Gjej rastin për të falenderuar të gjithë institucionet tona dhe bashkëpunëtorët e grupit negociator, për kontributet që kanë dhënë në arritjen e këtyre rezultateve.
Pyetje: Z. Turdiu, cili do të jetë hapi i radhës tashmë pas vendimit të marrë nga KE?
Përgjigje: Hapi i radhës ka të bëjë me përmbushjen e këtyre tre nën-çështjeve të fundit që nuk janë çështje nëse i referohemi Udhërrëfyesit, brenda muajit qershor të këtij viti. Ne presim që në muajin korrik të vijë ekipi i ekspertëve për të verifikuar raportimet tona për plotësimin e këtyre tre nën-çështjeve të fundit dhe besojmë se Parlamenti Evropian do të përmbyllë procedurat e miratimit të propozimit diku nga fillimi i vjeshtës ndoshta nga muaji shtator. Më pas, e ka radhën Këshilli i Ministrave i cili duhet të miratojë përfundimisht propozimin e Komisionit Evropian brenda vjeshtës. Janë të gjitha kushtet që njëzet ditë pas miratimit përfundimtar në Këshillin ë Ministrave, të bëhet botimi në fletoren zyrtare të Bashkimit Evropian, vendim i cili hyn menjëherë në fuqi për shtetasit shqiptarë.
Unë do doja të përmendja edhe diçka tjetër. Ndërkohë që po i afrohemi përfundimit të procesit, Ministria e Punëve të Jashtme ka filluar një fushatë informimi për qytetarët shqiptarë për të qartësuar se çfarë do të thotë liberalizimi i vizave. Kjo bëhet në mënyrë që të gjithë të dinë jo vetëm të drejtat që do të përfitojnë, por edhe përgjegjësitë që kanë. Me këtë rast, duke ju falenderuar të gjithëve (mediat) për interesin që keni treguar për këtë proces kaq të ndjeshëm, i cili është direkt i lidhur me qytetarët shqiptarë dhe që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre, unë do të isha shumë mirënjohës nëse ky bashkëpunim me MPJ do të vazhdonte edhe gjatë muajve që vijnë për të ndihmuar në informimin e saktë, të qartë dhe korrekt të qytetarëve tanë.