PD, Bogdani: Edi Rama s’ka asnjë plan për zhvillimin e bujqësisë

Deklaratë e deputetit të PD z.Gerti Bogdani:
"Dje Edi Rama u nis të mbante një bashkëbisedim, të stilit Town Hall, por ai nuk mori asnjë pyetje nga qytetarët dhe si gjithmonë përfundoi në monologun e radhës dhe i përdori qytetarët thjesht si fasadë.
Ndërkohe kryeministri Berisha ishte në Lushnjë për të paraqitur planin e tij për krijimin e vendeve të reja punës përmes investimeve në bujqësi dhe për të siguruar fermerët se do të kenë më shumë të ardhura.
Fermerët shqiptare punojnë tokat po mbushin jo vetëm tavolinat e tyre me prodhime, por edhe tavolinat e shumë familjeve në Europë e më gjerë.
Por Edi Rama nuk e ka fare idenë se çfarë ndodh me tokat shqiptare dhe as nuk e di se këta fermerë janë pjesë e një sektori bujqësor dhe agroindustrial, prej 2 miliardë eurosh vlerë e shtuar dhe që jep rreth 1/5 (një të pestën) e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.
Nuk ka se si te ndodh ndryshe: Kur nga njëra ane kemi një kryeministër që dëgjon zërin e çdo fermeri dhe çdo qytetari, duke mbajtur vetë shënime për çdo gjë në bllokun e tij dhe nga ana tjetër kemi një lider opozite që vazhdon monologët dhe bllok të vetëm ka atë të barcaletave që vetë i tregon e vetë qesh me to.
Nuk ka se si të ndodhe ndryshe për kaq kohe sa Edi Rama quan fermë kështjellën Dash Pezës, në Pezë, ku ka jetuar edhe vetë për më shumë se 5 vjet.
Dhe kuptohet qe ai nuk ka se ç’të flasë tjetër veç budallallëqeve për bujqësinë.
Ai thotë se plani i tij i ardhshëm është transferimi i sistemit të vaditjes në kompetencat e komunave, në një kohë që kjo tashmë është bërë realitet në afro 650 raste.
Dhe kur kalon nga padijenia ne padituri, normalisht që do flasësh edhe budallallëqe të tjera.
S’ka si ndodh ndryshe. Prandaj Ramës nuk i dridhet qerpiku kur thotë se fermerët duhet të numërohen si të papunë.
Zoti Rama nuk ka asnjë plan për zhvillimin e bujqësisë dhe zgjerimin e kësaj industrie. Pasi ai nuk e ka idenë se ç’do të thotë tokë, fermë etj.
E vetmja ferme që ai njeh është kështjella e Dash Pezës, në Pezë.
Përveç sloganeve boshe, të ngjizura në dhomën e tij të gjumit, ngjyrë pink, Rama nuk ka asnjë plan për të ndihmuar fermerët dhe për të krijuar vende të reja pune në këtë fushë. Madje edhe kur të tjerët ia kanë dhënë këtë mundësi, Rama ka detyruar deputetet e tij të votojnë kundër fondeve, granteve apo kredive në agrikulturë, duke përfshirë këtu edhe akuzat kundër 10 mijë kilometrave rrugë të reja që i kanë futur produktet bujqësore shqiptare jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në atë rajonal e më gjerë.
Është fare e qartë se Rama nuk ka asnjë plan për fermerët. I vetmi i ashtuquajtur plan që ai ka, është rritja e taksave, që jo vetëm do të krijojë papunësi, por do të shkatërrojë të gjithë fermerët shqiptarë, që me këto rritje taksash do ta kenë të pamundur të konkurrojnë me produktet e tyre në rajon e më gjerë.
Partia Demokratike, duke e lënë Edi Ramën në monologët dhe padijeninë e vet, do të vazhdojë të ndërmarrë hapa konkrete për të ndihmuar fermerët shqiptarë në çdo rrethanë e në çdo kohë, në mënyrë që të rrisin prodhimin, të krijohen sa më shumë vende pune dhe të kenë më shumë të ardhura në xhepat e tyre”.