E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakti/Bashkëpunëtorët e Bashkim Tahiri tregojnë skemën e kontrabandës me medikamentet

27-03-2013 / Gazeta 55

Prokuroria e cilësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë të Bashkim Tahirit, babait të deputetit të Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri. Kjo u konfirmua  për mediat nga burime pranë organit të akuzës, ku dosja tashmë po shqyrtohet nga njësia e task-forcës pranë prokurorisë së Tiranës. Sipas akuzës, Bashkim Tahiri me cilësinë e blerësit të ilaçeve kontrabandë, shtetasi Dritan Gjiza me cilësinë e shitësit të ilaçeve dhe shtetasja Nadire Taga, që ishte ndërmjetësuesja mes blerësit dhe shitësit, brenda dy ditëve do të dalin para Gjykatës së Tiranës.
Prokuroria, pritet të kërkojë nga gjykata vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë nga policia dhe caktimin e një mase më të butë sigurie për 64 vjeçarin Tahiri, për shkak të moshës dhe mungesës së rrezikshmërisë shoqërore.
Për tre të arrestuarit, prokuroria ka ngritur akuzën e “tregtimit dhe transportimit të mallrave që janë kontrabandë” në bashkëpunim. Këtë akuzë, I vetmi që e ka pranuar është shitësi Gjiza, i cili ka konfirmuar se ilaçet po tentonte t’ia shiste babait të deputetit të PS-së pranë banesës së këtij të fundit në rrugën “Todi Shkurti” ku edhe u arrestuan. Vet Bashkim Tahiri, nuk ka pranuar të flas para policisë për rastin. 63-vjeçari është mjaftuar me fjalët se nuk ka asnjë lidhje me akuzat që i janë ngritur dhe se më tepër nuk ka vazhduar, duke preferuar të kërkojë avokatin e tij, Plarent Ndreca.
Megjithëse Bashkim Tahiri ka refuzuar të flasë, burime pranë policisë dhe prokurorisë së Tiranës, të cilat i citon Abcnews, kanë pohuar se dy personat e tjerë të arrestuar në operacionin e koduar “Rispendal”, Dritan Gjiza dhe Nadire Taga, kanë treguar me detaje të gjithë skemën e kontrabandimit të dhjetrave medikamenteve farmaceutikë nga Italia në drejtim të Shqipërisë, ku i shisnin më pas në farmaci të ndryshme në kryeqytet. Dritan Gjiza, 27-vjeç nga Tiranë, ka treguar në policinë e kryeqytetit se ishte ai personi që arrinte të merrte çantat me medikamente të llojeve të ndryshme, të cilat dërgoheshin nga vjehrra e tij. “Vjehrra ime, punon në një klinikë mjekësore dhe se aty ka shumë mundësi që të marrë medikamente të llojeve të ndryshme. Nuk e di nëse këto medikamente vidhen ose ia fal klinika vjehrrës time, por ajo i dërgon në Shqipëri, dhe se personi që i prej jam unë”, ka treguar në policinë e Tiranës Dritan Gjuzi.
Më tej ky i fundit ka shtuar se për shpërndarjen e ilaçeve është lidhur me shtetasen e moshuar Nadire Taga, e cila e ka lidhur me disa klinika të ndryshme në Tiranë, duke arritur të shiste medikamentet e sjellë në mënyrë kontrabandë nga Italia. 27-vjeçari ka pohuar se nuk e njihte fare shtetasin Bashkim Tahiri, dhe se nuk e dinte që ai ishte babai i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri. Gjiza në dëshminë e tij ka theksuar se Nadire Taga, ka qenë ajo që ka bërë rolin e ndërmjetëses për takimin mes tyre me qëllim blerjen e disa prej medikamenteve mjekësorë nga ana e 63-vjeçarit Bashkim Tahiri. Pikërisht në këtë takim kanë ndërhyrë me shpejtësi efektivë të Grupit të Operacioneve Speciale, të cilët kanë bërë arrestimin në kushtet e flagrancës dhe sekuestrimin e një sasi të konsiderueshme medikamentesh, të cilat shërbejnë për kurimin e sëmundjeve të rënda. Njëra nga këto farmaci rezulton të jetë në emër të nënës së deputetit të Partisë Socialiste, Luiza Tahiri. Aktiviteti i çiftit Tahiri në fushën e shit-blerjes së ilaçeve fillon në fillim viteve ’90 me ngritjen e një farmacie. Në një shkrim të para dy viteve (23 gusht 2011) e kishin paralajmëruar deputetin Saimir Tahiri për indiciet e shëmtuara në lidhje me aktivitetin jo ligjor të babait të tij, Bashkim Tahiri, ish-shef i kuadrit të Artilerisë ajrore (MKA) në Vorë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›