E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e BE-së, letër Moratinos për heqjen e vizave me Shqipërinë

Dy ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, ai italian Franko Fratini dhe ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zbogar, lobojnë për Shqipërinë dhe Bosnjën


BRUKSEL - Dy ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini dhe ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zbogar, kanë filluar një fushatë lobimi për heqjen e vizave me Shqipërinë.


Të dy ministrat i kanë dërguar një letër ministrit të Jashtëm spanjoll, Angel Miguel Moratinos, vendi i të cilit mban dhe Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ku i kërkojnë marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave në muajin qershor për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës.


Letra e hartuar nga dy ministrat e Italisë dhe Sllovenisë i është dërguar gjithashtu edhe autoriteteve më të larta të Bashkimit Europian, përfaqësues së lartë për Politikën e Jashtme në BE, Katerinë Ashton, komisionerit për Zgjerimin Europian, Stefan Fyle, si dhe komisioneres për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom.


Një aspekt i rëndësishëm është se kjo iniciativë ka gjetur mbështetje edhe tek homologët e tjerë europianë të vendeve të BE-së. Në letër thuhet se këto dy vende kanë bërë përparim në procesin e plotësimit të kushteve për heqjen e vizave. Ndërsa theksohet se tashmë nevojitet që të mbyllet procesi. "Suksesi i tre vendeve, me të cilat janë liberalizuar vizat, është po ashtu i njëjtë edhe për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Ne kërkojmë që ato të intensifikojnë edhe më tepër plotësimin e kushteve të mbetura.


Tani është e rëndësishme që të përmbyllet procesi i cili duhet të jetë ekuivalent me vlerësimin e Komisionit Europian", - thuhet në letër.


Letra është firmosur nga 10 ministra të tjerë të jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian, duke krijuar në këtë mënyrë edhe një rritje të mbështetjes së vendeve të BE-së për procesin e heqjes së vizave. Letra që i është dërguar Presidencës spanjolle, përveç Frattinit dhe Zbogar, është firmosur edhe nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Balazs, ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikoaly Mladanov, ministri i Jashtëm i Estonisë, Urnas Pate, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Maltës, Tonio Borg, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosalv Sikoriki, ministri i Jashtëm Rumanisë, Teodor Baconschi, ministri Plotësues i Jashtëm i Greqisë, Dimistris Droutsas, ministri i Jashtëm i Lituanisë, Andornuis Azubalis, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak dhe ministri i Qipros, Mausios Kyprianou.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›