E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Doda: Të dorëhiqet anëtari i LSI-së në KQZ. PS: E pamundur

TIRANE - PD-ja i kërkon dorëheqjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfaqësuesit të LSI-së, pasi tashmë sipas saj është mbyllur kontrata politike me PD-në. Nga ana e saj, vetë KQZ-ja ende nuk ka një vendim zyrtar për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së me atë të PR-së, e cila dje dorëzoi kërkesën e saj pranë këtij institucioni. Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi konfirmoi dje për “Gazeta Shqiptare” se ende nuk ka një vendim zyrtar të këtij institucioni lidhur me kërkesën e PS-së që kërkon të zëvendësojë LSI-në në KQZ. 

“Ne si KQZ nuk mund të shprehemi rreth kësaj çështjeje, pasi nuk ka ende një vendim zyrtar të KQZ-së. Ne do flasim me vendime”, - u shpreh znj.Lleshi. Por PD-ja, përmes deputetes Mesila Doda i kujton LSI-së se pas përfundimit të marrëveshjes me PD-në duhet të tërheqë anëtarin e saj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Doda, në rrjetin social “Facebook” shtron pyetjen: “Meqenëse zyrtarët politikë të LSI-së u tërhoqën nga çdo nivel përfaqësimi zyrtar, nuk do ishte e udhës të jepte dorëheqjen edhe përfaqësuesi i KQZ-së, në respekt të përfundimit të kontratës me PD?” Në këtë rast deputetja e PD-së, Mesila Doda lë të kuptohet se LSI-ja duhet të ikë nga KQZ-ja duke mbështetur PR-në në kërkesën e saj zyrtare për të marrë anëtarin e KQZ-së. 

“Kjo puna e KQZ dhe KZAZ më duket se po trashet dhe po shkon jashtë çdo logjike. Nëse zgjedhjet paraqiten me probleme, do duhet t’i kërkohet llogari opozitës për standardet. Tani është opozita në mazhorancë në KQZ dhe mesa duket po kërkon të ketë dhe shumicë absolute në disa KZAZ. Ky duhet të jetë një rast ‘sui generic’, ku opozita është përgjegjëse për mbarëvajtjen administrative të zgjedhjeve. Meqenëse zyrtarët politikë të LSI-së u tërhoqën nga çdo nivel përfaqësimi zyrtar, nuk do ishte e udhës të jepte dorëheqjen edhe përfaqësuesi i KQZ-së, në respekt të përfundimit të kontratës me PD?”, shkruan Doda. Por Partia Socialiste e quan të pamundur një zëvendësim të Partisë Republikane me atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas përfaqësuesit të PS-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genc Gjonçaj, juridikisht nuk është i mundur ky zëvendësim, pasi nuk e lejon as Kodi Zgjedhor. 

“KQZ-ja nuk ka asnjë hapësirë juridike, ligjore, që të ndikojë në përbërjen e KQZ-së. Nuk është e mundur juridikisht që të rikonceptohet apo të rishikohet përbërja e KQZ. Sa për KZAZ, gjithçka bisedohet kur formalizohen koalicionet”, - deklaroi Gjonçaj për “Gazeta Shqiptare”. Partia Republikane dorëzoi dje në Komisionin Qendror Zgjedhor, kërkesën për të pasur të drejtën e një anëtari. Nisur nga rezultati i 2009-ës, PR rezulton të jetë partia e dytë për nga rëndësia në kampin e djathtë pas asaj demokratike. Në një kohë që LSI-ja rikonfirmohet e dyta edhe në opozitë, duke ruajtur komisionerin e saj në administrimin zgjedhor, jashtë loje del PBDNJ-ja, e cila renditet në vend të tretë. Pavarësisht aleancave të mundshme që mund të bëjë kreu i kësaj force, vendet në administratën zgjedhore janë zënë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›