E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Dorëheqja e Ramës dhe krijimi i qeverisë kujdestare, kushte për zgjidhjen e krizës

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare me mandat për përgatitjen e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, duke i cilësuar këto si kushte për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Në një deklaratë për mediat, PD reagoi ndaj raportimeve për takime dhe konsultime të Presidentit Bajram Begaj për zgjidhjen e krizës, duke e akuzuar atë për bashkëpërgjegjësi në situatën politike.

Partia Demokratike deklaroi se zgjidhja e krizës dhe, sipas saj, mungesës së legjitimitetit të qeverisë, kushtëzohet nga plotësimi i kërkesave të protestuesve, studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës, si dhe të opozitës.

Përveç dorëheqjes së Ramës dhe krijimit të një qeverie kujdestare, PD kërkoi heqjen e menjëhershme të imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut, si dhe të çdo politikani për të cilin organet e drejtësisë kërkojnë masa lidhur me veprën penale të korrupsionit.

Në deklaratë, PD theksoi se nuk do të njohë asnjë negociatë apo marrëveshje që bie ndesh me këto kërkesa ose që, sipas saj, synon të zgjasë qëndrimin e Edi Ramës në pushtet.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›