E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD Durrës, festë për fitoren në 28 qershor

Dega e Partisë Demokratike në Durrës, ka festuar fitoren në këtë qark të koalicionit, Aleanca për Ndryshim në zgjedhjet e 28 qershorit. Një festë ku ishte i pranishëm dhe kryeministri, njëkohësisht kryetar i PD Sali Berisha. Kryeministri gjeti rastin të falenderojë për besimin të gjithë banorët e këtij qarku. Këtu ai theksoi se ky besim do të shdërrohet në një mandat e angazhime të mëdha në gjithë historinë e vendit. Me këtë kryetari i qeverisë nënkupton, vënien në funksion të plotë të gjithë potencialit që disponon vendi duke garantuar zhvillim.
“Mandati që ne nisim është mandati i mundësive më të mëdha në tërë historinë e vendit, është mandati, në të cilin ne do të shndërrojmë në realitet ambiciet tona më të mëdha pozitive, është mandati, në të cilin ne do t’ia dalim ta ndryshojmë tërësisht këtë vend nga Konispoli në Vermosh, është mandat, në të cilin ne do të ndërtojmë së bashku Shqipërinë industriale, Shqipërinë turistike, Shqipërinë moderne, është mandati, në të cilin, pas katër vitesh, Shqipëria e prapambetjes shekullore do te jetë thjesht një kujtesë jo e afërt në memorien tonë.Ne, që ndërtuam korridorin e kombit me një shpejtësi të paparë, vetëm në dy vjet, - korridori Rrëshen-Kalimash filloi nga puna në shkurt t vitit 2007 dhe përfundoi në mesin e vitit 2009, vepër, e cila vetëm në segmentin e saj Rrëshen- Kalimash tejkalon mbi dy herë e gjysmë të gjithë kaskadën e Drinit - vijmë në pushtet më të fuqishëm, më të kthjellet dhe më të vendosur se kurrë për t’ia ndryshuar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, faqen këtij vendi.”
Kryeministri tha se për Durrësin edhe në këtë mandat të ri do të zbatohen projekte të mëdha. Këtu ai kujtoi disa prej vendimeve më të rëndësishme të mbledhjes më të fundit të KRTRSH ku u vendos ndërtimi i katër resorteve turistike në Gjirin e Lalzit.
“Ndërkohë i pesti, që është edhe projekti më i madh i të gjithë këtyre të katërve që kem i firmosur, do të jetë edhe i pari që fillon nga puna. Vetëm në një segment të shkurtër të detit, nga Shn Pjetri do të investohen miliarda euro, do të ndërtohen resortet më të bukura turistike. Por një rëndësi të jashtëzakonshme ka parku industrial. Pozicioni gjeografik, vendosja e atij rajoni midis portit, aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, hekurudha, autostrada që po ndërtojmë, të gjithë këto e bëjnë parkun industrial të Durrësit ndoshta një nga më të lakmueshmit në Evropë. Krahas tij, është parku energjetik. Me këtë rast, dua t’i garantoj qytetarët e Durrësit se qeveria ime është e vendosur t’i përmbahet me seriozitetin më maksimal standardeve evropiane të mjedisit. E vendosur në një nga pozicionet më të lakmuara në Evropë përsa i përket mjedisit, ne synojmë që ta përmirësojmë atë. Jemi ne, ata që ndaluam qarkullimin e naftës D2 në masën 80 për qind dhe nga 1 janari i vitit që vjen nuk do të lejojmë asnjë litër naftë D2. Jemi ne, ata, t cilët do vendosim që asnjë makinë, asnjë vepër industrial, sado e rëndësishme të jetë ajo, të mos tejkalojë me asgjë standardet e vendeve anëtare të BE-së. Në këtë kontekst, Durrësi do të ketë parkun e tij të fuqishëm industrial dhe atë energjetik. Nuk janë antiglobalistët ata që kujdesen për mjedisin. Ata kanë thjesht dhe strikt interesa mafioze. Ata janë një lloj përfaqësie e re e nomeklaturës së kuqe, e tëra e transformuar në mafie.”
Fjalimin tij kryemsinistri Berisha e përfundoi me një falenderim të posaçëm për të rinjtë shqiptarë duke ua dedikuar atyre fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›