E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD Edvin Rama censuron ne media aktivitetet e mazhorances

“Sot Edvin Rama urdhëroi censurën e plotë dhe totale të lajmeve për qeverinë dhe mazhorancën.

Sot urdhëroi kanalin televiziv privat kombëtar Top Channel të bllokojë transmetimin e të gjitha veprimtarive të Kryeministrit të vendit dhe mazhorancës politike në Shqipëri”.

E tillë ka qenë deklarata e mbërritur nga selia blu pasdreken e sotme, duke shtuar se “Rama censuroi gjatë edicionit informativ në këtë media, transmetimin e inaugurimit të ndërtesës së re të korpusit kryesor të Universitetit të Kamzës, një investim ky prej 300 milion lekësh”.

“U censurua tërësisht fjala dhe pjesëmarrja e Kryeministrit të Shqipërisë në aktivitetin e firmosjes së një marrëveshjeje historike midis Universitetit të Tiranës dhe ETC Global.

Rama ndaloi tërësisht imazhin e takimit të Kryetarit të Partisë Demokratike në strukturat e saj në Elbasan”, citon deklarata e PD-së për këtë çështje.

Duke shtuar se “Partia Demokratike shpreh keqardhjen e saj për keqpërdorimin dhe keqshfrytëzimin e medias kombëtare nga kreu i Partisë Socialiste”.

“Partia Demokratike i thotë z. Rama se praktika e censurës është akti më i madh i dëshpërimit që dhunon rëndë parimet më themelore të mediave në një shoqëri të lirë.

Partia Demokratike i bën thirrje dhe e fton televizionin Top Channel, t’i përmbahet me rigorozitet ligjit dhe të mos ndikohet nga urdhrat politikë, por të respektojë standardet e mediave të lira dhe të pavarura.

Partia Demokratike duke mos ndërhyrë aspak në politikat redaksionale, beson se censurimi i lajmeve dhe informacioneve, dëmton rëndë vetëm ata që i praktikojnë këto lloj censurash”, përfundon kjo deklaratë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›