E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidati Basha studenteve Per ju biblioteke universitare dhe internet kudo

Lulzim Basha, kandidat për kryebashkiak në Tiranë, bashkëbisedoi sot me studentët e dy universiteteve në kryeqytet, Universitetit të Tiranës dhe atij UFO, për të paraqitur para tyre se çfarë mund të bëjë Bashkia për ta, si dhe për të dëgjuar sugjerimet e tyre për jetën akademike dhe infrastrukturën universitare dhe perspektivën e punësimit.

Basha iu përgjigj pyetjeve të studentëve për perspektivën e tyre në punësim, infrastrukturën akademikë si dhe lehtësirat për ta.

Ai shpjegoi se si do të jetë marrëdhënia Bashki-student, në Tiranën e 100 mijë studentëve.

Kandidati për kryebashkiak tha se pjesë e rëndësishme e projektit të tij është themelimi i Kartës së Studentit.

Do të jetë një dokument që do t’i pajisë studentët me privilegje të ndryshme, siç funksionon në kryeqytetet e Europës. Në të parashikohen shërbime publike falas në disa raste, dhe përgjysmim çmimesh për raste të tjera.

“Krijimi i ambienteve me një infrastrukturë, por edhe me një të ardhme moderne evropiane, është një domosdoshmëri për t’i dhënë çdo studenti në Tiranë lehtësitë e nevojshme për të studiuar, jetuar, dhe dhënë kontributin e tij apo të saj, për bashkëjetesën në këtë qytet.
Krahas këtij angazhimi, dua të përsëris sot para jush, angazhimin tim si kryebashkiak i ardhshëm që brenda vitit të parë të çajmë tokën për të nisur punimet për bibliotekën qytetare, bashkiake të Tiranës.

Një bibliotekë e cila, jo vetëm, do të sigurojë akses të plotë dhe të mjaftueshëm për të gjithë studentët e qytetit, por do ta bëjë këtë në parametrat modernë me akses në internet, dhe me një fond biblioteke të mjaftueshëm sufiçent, model, si dhe me ambiente të mjaftueshme për të mundësuar jetën tuaj si studentë. Si jetojnë studentët sot në Tiranë? Ku jetojnë ata. Sot janë pa frikë 10-12% e qytetit dhe neser do të jenë rreth 15-18 % e qytetit. Gjithë kjo energji, gjithë kjo mundësi e jashtëzakonshme, për t’i shërbyer jetës së qytetit në çdo aspekt”, tha Basha.

Duke pohuar edhe se një pikë e ndjeshme për studentët është çështja e punësimit.

Shumë të rinj pajisen me diploma por e kanë të vështirë të gjejnë mundësi për ushtrimin e profesionit.

Nga ana tjetër, Tirana ka shumë biznese që kanë nevojë për specialistë profesionistë dhe të shkolluar. Pra mungon një hallkë lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës, dhe këtë rol sipas Bashës, do ta luajë Bashkia.

“Po kështu, ka dhjetëra, qindra, mijëra biznese për të cilët sot, në këtë moment që flasim kërkojnë punë të kualifikuar. Ka ikur koha kur tregut të punës t’i vazhdojnë t’i shërbejnë me metodat e vjetra, unë njoh dikë, mikun, shokun, xhaja, daja. Bashkia e Tiranës duhet dhe do të marrë përgjithësi për të qenë porta kryesore e informacionit që do të facilitojë, do të lehtësojë komunikimin midis punëmarrësve dhe punëdhënësve nëpërmjet një sistemi modern informacioni të tregut të punës dhe kjo duhet dhe do të ketë përgjegjësi elementare, thelbësore e Bashkisë së Tiranës. Bashkia duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në përgatitjen tuaj, nga auditorët e universiteteve në tregun e punës, dhe kjo është kur ne marrim së bashku përgjegjësi”, u shpreh Basha.

Por studentët kanë nevojat e tyre edhe gjatë jetës së tyre akademike. Lulzim Basha ka në planin e tij ndërtimin e shpejtë të një biblioteke universitare. Gjithashtu, studentët do të kenë akses falas në internet në çdo cep të Tiranës.

Në fund të takimeve, studentët plotësuan Kartën e Angazhimit ku ata shprehin pyetjet dhe sugjerimet e tyre për Lulzim Bashën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›