Ina Rama: Imuniteti i zyrtarëve pengon hetimet
Trazhgim Sokolaj
Prokurorja e Për-gjithshme, Ina Rama, tha dje se imuniteti i gjyqtarëve po pengon hetimin ndaj tyre për akuzat ndaj korrupsionit. Kryeprokurorja ishte e pranishme në një tryezë debati mbi reformën në drejtësi, ku pohoi se Prokuroria vihet përballë vështirësish në hetimin e gjyqtarëve, ndërkohë që prokurorët mund t'i hetojë pa pengesa. "Është problematike, sepse ndërkohë që mund t'i hetojmë prokurorët, nuk kemi mundësi të hetojmë gjyqtarët, sepse kanë imunitet dhënë nga Kushtetuta. Nëse zyra e Prokurorit të Përgjithshëm kërkon autorizim për procedim penal ndaj një gjyqtari për vepra korruptive, hetimi është bërë publik dhe është e pamundur të vazhdohet. Nuk është e mundur të hetosh një gjyqtar për korrupsion kur ai e di se po hetohet", tha kryeprokurorja. Ajo kërkoi mbështetjen e gjykatave në luftën e Prokurorisë kundër korrupsionit. Ina Rama solli në fjalën e saj dy raste kur Prokuroria ka arrestuar prokurorët e akuzuar për korrupsion, por gjykatat i kanë lënë ata të lirë pak kohë më pas. Duke vënë në dukje vlerësimet e raport-progresit të KE-së për luftën kundër korrupsionit nga zyra Task Force në Prokurorinë e Tiranës, Ina Rama tha se këto rezultate janë arritur në bashkëpunim me policinë, SHISH-in, tatimet e doganat. Ina Rama tha se i njëjti bashkëpunim dhe e njëjta mbështetje në hetimet kundër korrupsionit nevojitet edhe nga gjykatat. Kryeprokurorja tha se organi i akuzës po zbaton një sistem tërësisht të ri të vlerësimit të prokurorëve në karrierë në bashkëpunim me homologët spanjollë. Ajo tha se është aplikuar pranë autoriteteve evropiane, të cilat kanë miratuar një sistem funksional për monitorimin e punës së prokurorëve dhe vlerësimin e drejtë të tyre në karrierë. Ina Rama vuri theksin edhe te Gjykata e Lartë, duke thënë se përfaqësues të saj duhet të jenë të pranishëm në diskutime të tilla për reformën në drejtësi. Burimet zyrtare nga zyra përfaqësuese e Komisionit Europian në Shqipëri thanë se tryeza ndërkombëtare mbi reformën në drejtësi u organizua nga misioni EURALIUS. Në aktivitet ishin pjesëmarrës rreth 150 përfaqësues nga të gjitha rangjet e institucioneve shtetërore. "Diskutimet u përqendruan kryesisht mbi problemet e sistemit të gjyqësorit që KE ka identifikuar në Raportin Vjetor të Progresit, siç janë plotësimi i kuadrit ligjor dhe strategjisë për reformën, zbatimi i ligjit, procedurat e inspektimit dhe ato disiplinore, menaxhimi dhe eficienca e gjykatave, administrata gjyqësore, buxheti i gjyqësorit, transparenca dhe pavarësia", thanë burimet zyrtare.