E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: I ofrojmë PS-së të drejtojë komisionin hetimor për zgjedhjet

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Demokratike i ofron opozitës të drejtojë një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet dhe paralajmëron edhe tërheqjen e anëtarëve të saj për të bërë të mundur që kontrollin ta ketë e majta. Pohimi u bë nga Erla Mëhilli, zëdhënëse e selisë blu e cila foli edhe për deklaratën e bërë pasdite nga zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj se opozita nuk kërkon rinumërim të votave por hetim të zgjedhjeve. “Më në fund dhe për here të parë që nga 28 Qershori, zëdhënësja e PS-së, Imeraj, deklaroi në emër të opozitës se opozita nuk kërkon rinumërim të votave as ndryshimin e vendimit të Gjykatës por kërkon hetim parlamentar të zgjedhjeve. PD deklaron se mbetet e gatshme dhe e hapur për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në përputhje me Kushtetutën, ligjin organik të Komisioneve Parlamentare dhe Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të Komisionit Parlamentar”, – deklaroi Mëhilli. Ajo më tej shtoi PD i përmbahet angazhimit të saj publik se në këtë komision, pavarësisht se ligji i Komisioneve Parlamentare parashikon në mënyrë taksative që mazhoranca ka shumicën e komisionit, të krijojë pas zgjedhjes se Komisionit mundësinë që shumicën ta ketë opozita duke tërhequr anëtarët e saj prej tij.
Ky lajm është publikuar: 23/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›