E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: “Imuniteti”, Rama kërkon të bllokojë integrimin

11-07-2012 / Gazeta 55

Partia Demokratike deklaroi sot se kreu i opozitës, Edi Rama po zvarrit nismën e mazhorancës për kufizimin e imunitetit me qëllim bllokimin e procesit të integrimit evropian. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi tha se komuniteti ndërkombëtar i hartoi këto ligje dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve t’i votojnë ato, por Edi Rama vazhdon të bllokojë procesin në përpjekje për përfitime vetjake, por të gjithë shqiptarët e kuptojnë mirë këtë. “Z.Rama qartësisht është duke u përpjekur të ngadalësojë procesin për të bllokuar integrimin. Komuniteti ndërkombëtar i hartoi këto ligje dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve t’i votojnë ato - por Rama vazhdon të bllokojë procesin në përpjekje për përfitime vetjake, por të gjithë shqiptarët e kuptojnë mirë këtë. Z. Rama e bën këtë pasi ka përsëritur vazhdimisht se mbështet heqjen e imunitetit. Por fjalët e kota nuk kanë vlerë, veprimet janë ato që kanë vlerë. Ne e nxisim z.Rama të veprojë tani në mënyrë që integrimi i Shqipërisë të mos vihet në rrezik.
Të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit - po Rama cilët po mundohet të mbrojë? Qytetarët e thjeshtë nuk e gëzojnë këtë lloj mbrojtje, dhe për rrjedhojë as klasa politike nuk mund t’a gëzojë. Z.Rama po provon përsëri të përfitojë nga procesi në vend që t’i shërbejë interesave të qytetarëve”- u shpreh Bardhi.
Ajo shtoi se PD mbështet heqjen e imunitetit për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit. “Partia Demokratike mbështet heqjen e imunitetit për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit. Kjo nuk është çështje politike - thjesht është gjëja e duhur për t’u bërë”- tha më tej zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›