E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Mbrojtjes: “Me akuzat e pabaza, Edi Rama ra në kurthin e interesave të biznesit serb”

11-07-2012 / Gazeta 55

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri reagoi pas shfaqjes së paparalajmëruar të deputetëve socialistë në derën e dikasterit, duke kujtuar se pretendimet për hetim të PS, po bëhen pa program dhe kërkesa të qarta dhe po hedhin baltë mbi një vend anëtar të NATO-s, i cili s’mund t’ia lejojë vetes të përfshihet në trafiqe armësh apo munucionesh

Ministria e Mbrojtjes reagoi ditën e djeshme nëpërmjet një njoftimi për shtyp ku deklaroi se sulmet ndaj tregtisë së ligjshme të armëve vijnë  prej konkurrencës së firmave serbe. Ndërsa opozita është në rrugë të gabuar kur sulmon duke mbrojtur sidomos interesat e biznesit serb në tregtinë e armëve.
“Fushata e disa deputetëve socialistë kundër Ministrisë së Mbrojtjes, u tregua me deklarimin e fundit të zotit Rama se është e organizuar dhe dirigjuar nga ana e tij. Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, nuk ka trafikuar dhe nuk trafikon armë. Sulmi që i bëhet tregtisë së ligjshme dhe transparente të armëve nga Republika e Shqipërisë është në funksion të interesave të biznesit serb. Zoti Rama nuk mund të binte në një kurth kaq të lehtë, për më tepër që ai është kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend. Ky është amatorizëm”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërkohë akuzat politike të Edi Ramës janë cilësuar si frymëzim të një mendësie moniste. Dhe se aluzion për dekonspirim nga radhët e ushtarakëve dëftejnë për një huq të vjetër të kësaj force politike. “Lidhur me akuzën e dytë për përgjime me natyrë politike, e sigurojmë opinionin publik se mjetet e ushtrisë, të çfarë do lloji qofshin, nuk përdoren për qëllime politike. Akuzat e zotit Rama ngrihen mbi pretendime të informacioni të marrë brenda Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo është e turpshme, megjithëse fatkeqësisht opinioni publik është dëshmitar i dokumenteve e shkresave zyrtare që tundeshin në mes të sallës së parlamentit nga deputetë socialistë, dokumente këto që mund të ishin siguruar në rrugë ligjore. Kjo tregon mentalitetin e Partisë Socialiste, ish Partia e Punës, e cila në traditën e saj të shantazhit shpik bashkëpunëtor politik në Ministrinë e Mbrojtjes”.  

Ministria, e gatshme të raportojë në Kuvend
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri ka reaguar për iniciativën e paprecedentë të marrë të nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ilir Gjoni dhe dy anëtarët socialistë Pajtim Lutaj dhe Xhemal Qefalia  për të hapur dokumentet e klasifikuara të Ministrisë së Mbrojtjes dhe arkivin e Shtabit të Përgjithshëm. “Një javë më parë u paraqitën në Ministrinë e Mbrojtjes një grup deputetësh të Partisë Socialiste, të cilët kërkuan takim me Ministrin e Mbrojtjes. Për shkak të angazhimeve në analizën 6-mujore të Forcave të Armatosura, Ministri më delegoi që në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm t’i prisja dhe të shqyrtoja shqetësimet e tyre. U kërkova që të përgatisin një program pune, të formuluar nga Kuvendi, i cili do të përcillej në rrugë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i dikasterit të Mbrojtjes.
Ndërsa vijoi në shpjegimin pse u refuzua “kontrolli” dhe “inspektim të punës” së kësaj Ministrie si dhe mospritje të deputetëve socialiste, Kulluri u shpreh se “sot (dje) paradite, disa deputetë të opozitës erdhën pa njoftim paraprak para Ministrisë së Mbrojtjes duke kërkuar takim me Ministrin. I prita dhe i ngarkuar sërish nga Ministri, u kërkova nëse kishin arsye konkrete për t’u takuar me zotin Imami. Deputetët e Partisë Socialiste nuk shprehën ndonjë kërkesë konkrete dhe as paraqitën program të kërkuar në përputhje me procedurat. Pretendimi se ka një kërkesë të rregullt të deputetëve për kontroll apo mbikëqyrje në përputhje me procedurën parlamentare nuk qëndron”.
Në përfundim të konferencës për shtyp sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Mbrojtjes theksoi se ekziston gatishmëria  për t`iu nënshtruar çdo lloj kontrolli apo hetimi, në bazë të asaj çfarë përmbajnë dhe predispozitat ligjore, ndërsa konfirmoi dhe njëherë gatishmërinë e Imamit për të qenë prezent më 16 Korrik ne seancën dëgjimore në Komisionin e Sigurisë. “Më duhet të sqaroj se Ministria e Mbrojtjes i bindet vetëm Kushtetutës dhe ligjit të Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësisht, ashtu dhe siç u ra dakord disa ditë më parë, grupi i deputetëve nuk paraqiti kërkesën sipas procedurave parlamentare për të drejtën e mbikëqyrjes kuvendare.   Ashtu edhe siç jeni në dijeni, sot Komisioni i Sigurisë, me iniciativë të deputetëve të Partisë Demokratike, përgatiti një kërkesë për seancë dëgjimore  me Ministrin e Mbrojtjes. Ministri është shprehur i gatshëm të raportoj në çdo moment dhe për çdo çështje për të cilat deputetët janë të interesuar, ashtu siç ka vepruar gjithnjë”, përfundoi Kulluri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›