E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusmaili: Prokuroria ka dështuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit

11-07-2012 / Gazeta 55

Debate në komisionin e Ligjeve për projektrezolutën e Prokurorisë

Komisioni parlamentar i Ligjeve u përfshi nga debatet mbi punën e prokurorisë për gjatë vitit 2011, teksa po shqyrtohej dhe miratohej rezoluta përkatëse. Opozita tentoi ta orientonte debatin në akuza politike, referuar dhe marrëdhënieve të mazhorancës me prokuroren e përgjithshme për veprimin ose mosveprimin e saj mbi ngjarjet e 21 janarit. Por kreu i Komisionit të Ligjeve theksoi se për këto ngjarje ekziston një komision i posaçëm hetimi në Kuvend. Rusmali theksoi se rezoluta është përpiluar në mënyrë korrekte, ku vlerëson punën e prokurorisë si pjesë e task - forcave, por sigurisht që kritikon të mosqenit e saj lider në përpjekjet për të forcuar shtetin e ligjor. Niveli i bashkëpunimit me institucionet e tjera është zero dhe prokurorja e përgjithshme shfajësohet dhe qëndron indiferente-theksoi Rusmali, i cili shtoi se: “kriminelët janë më të fortë se shteti, ortakë me prokurorinë”. “Dokumenti vlerëson bashkëpunimin pozitiv me institucionet e tjera, në mënyrë të veçantë në veprimtarinë e grupeve task-forcë, kanë funksionuar, e duam apo s’;e duam prokuroren e përgjithshme, ne nuk mund ta mohojmë këta fakt. Grupet e task-forcës kanë punuar, por neve për këtë shkak nuk mund të injorojmë faktin që bashkëpunimi me KLSH-në, ILDKP-në, me drejtorinë kundër pastrimit të parave, është zero sot në Shqipëri. Është zero dhe është bashkëpunim që nuk ngrihet dot pavarësisht përpjekjeve të parlamentit shqiptar dhe ky bashkëpunim në radhë të parë vjen për shkak të indiferencës dhe lehtësisë me të cilën prokuroria që duhet të ishte një institucion lider në këtë drejtim, trajton raportet me institucionet e tjera. E mbani mend kolegë: “Nuk e kemi fajin ne, e kanë fajin të tjerët- nuk është problemi jonë, por i të tjerëve”. Dhe na rezulton se Prokurorja e Përgjithshme kur duhet të ulet dhe të bashkëpunojë me Ministritë thotë: “S’kam punë unë, është faji i Ministrisë”. Të njëjtën gjë e thotë me KLSH-në, me institucionin e deklarimit të pasurive dhe të njëjtën gjë thotë edhe me drejtorinë e përgjithshme të luftës kundër pastrimit të parave. Të gjitha këto gjëra ne nuk mund të na lënë indiferentë sepse ne e duam Prokurorinë institucion lider në këtë bashkëpunim. Ne duam që të rrijë Prokurorja e Përgjithshme nga mëngjesi deri në darkë e shqetësuar për komunikimin me këto institucione. Të rrijë e shqetësuar me hetimet që ato bëjnë sikurse të rrijë e shqetësuar me suksesin e rezultateve të denoncimeve që ato bëjnë. Prokurorja e Përgjithshme erdhi në komision dhe tha: “mua nuk më duhet, nuk më intereson sepse s’e kam unë fajin, e kanë të tjerët”. Prandaj, Prokurorja e Përgjithshme, që të ketë sukses ngrehina institucionale, që të ketë sukses shteti ligjor që organizatat ligjore në këtë vend të veprojnë, duhet të jetë në krye të tyre dhe jo të bëjë indiferentin”- u shpreh Rusmali.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Partisë Socialiste deklaruan votën e tyre kundër kësaj rezolute, e cila pas miratimin me votat e deputetëve të mazhorancës kalon në seancë plenare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›