E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rruga e Arbrit dhe Bosht i Jugut, projektet kryesore të mandatit të ri

TIRANE-Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë një mitingu elektoral në Shupenzë, ku prezantoi kandidatët për deputetë të PD-së, në qarkun Dibër se, “rruga e Arbrit, dhe Bosht i Jugut do të jenë dy projektet kryesore të mandatit që vjen. Banorët e Peshkopisë do kenë lidhje me të gjitha anët e Shqipërisë dhe trojeve shqiptare”.

Kryeministri premtoi se, “4 vitet që vijnë grantet për projektet e fermerëve do të rriten 3 herë. Nga 56 milionë dollarë do të bëhen 165 milionë dollarë. 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë në Shupenzë, Peshkopi dhe mbarë Shqipërinë sistemin më modern të vaditjes”.

“Këto vite kemi realizuar disa ëndrra, ndër më të rëndësishmet, tonat dhe të të parëve tanë. Sot ne jemi anëtarë të NATO-s. Sot ne lëvizim pa viza në mbarë Europën. Së shpejti do të marrim statusin e vendit kandidat, do të liberalizojmë vizat me vendin më të madh të lirisë, SHBA-në”, tha Berisha.

Këto vite, shtoi kryeministri, “nga Kalaja e Dodës, deri në Librazhd do të ndërtojmë një infrastrukturë rrugore, ndër më modernet në rajon e më gjerë. Kemi dyfishuar rrogat e mësuseve dhe infermierëve”.

Ndaj, theksoi kreu i qeverisë, “sot ftoj çdo socialist të Shqipërisë, të bashkohet me alternativën e suksesit, e ndërtimit të infrastrukturës më moderne, të rritjes së rrogave dhe pensioneve, të ecjes së sigurtë drejt integrimit Europian, të krijimit të vendeve të punës”.

Duke folur për opozitën, Kryeministri Berisha, tha se, “është alternativa që mbjell pesimizëm, që i shpall rrogat dhe pensionet e rritura, anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lire në Europë, si të rreme. E quan këtë Shqipëri si Shqipëri të gënjeshtërt, pasi sipas shokut të autobusit, e vërtetë ishte vetëm Shqipëria e etërve të tij”.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›