PD: Klani i Ramës shpalli vrasës mbrojtësit e institucioneve
Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj, Albana Mustafaraj i është kundërpërgjigjur deklaratës së djeshme të kryesocialistit Edi Rama, duke theksuar se deklarata e tij është fakt I gjallë se ai qëndronte prapa pretencës televizive të Ina Ramës, ndaj mbrojtësve të institucioneve Kushtetuese.Në një deklaratë për shtyp ajo u shpreh:
“Në fjalën e tij në kryesinë e Partisë Socialiste, Edi Rama falënderoi zonjën Ina Rama, për shpalljen e tij të pafajshëm apo amnistinë e tij si organizatori kryesor i 21 Janarit 2011, mbasi në pretencën e saj televizive mbi 90 minuta, zonja Ina Rama shpalli mbrojtësit të institucioneve kushtetuese të vendit ashtu siç i kishte shpallur zoti Rama një vit më parë, si vrasës me dashje, kurse ultimatumin e zotit Rama drejtuar Kryeministrit të vendit më 20 janar: “largohu ose do kalosh mbi kufoma”, e vlerësoi si një retorikë të thjeshtë .Partia Demokratike, i thotë zotit Rama mos u gëzo para kohe se, deklaratat për pafajësinë tënde në organizimin e grushtit të shtetit më 21 janar, i kanë këmbët e shkurtra, madje, ato nuk i beson as edhe ti vetë, ndaj dhe i tronditur bërtisje, - hetomëni, hetomëni.
Partia Demokratike thekson edhe njëherë se, pretenca publike televizive prej 90 minutash e Prokurores së Përgjithshme e paprecedent në historinë e një vendi të lire, akuzat e saj për vrasje me dashje ndaj oficerëve të Gardës, që me trimëri, burrëri, heroizmin e tyre mbrojtën rendin kushtetues dhe hodhën në lanë mandatet e ëndërruara të puçistëve, dëshmojnë thjesht urrejtjen por panikun që ka mbërthyer klanin e atyre që, tek përmbysja me dhunë e pushtetit legjitim, kishin vendosur ëndrrën e mandateve të tyre”-tha Mustafaraj.
Më tej ajo theksoi se “Partia Demokratike i deklaron edhe njëherë zotit Rama se, hetimi i pavarur i 21 janarit 2011, identifikimi i ideatorëve, organizatorëve, sponsorizuesve të 21 janarit, si dhe autorëve të dhunës tragjike dhe rrethanave të saj, janë zotimi absolut i kësaj mazhorance. Ky hetim nuk do mund të pengohet as nga pretencat tuaja të përbashkëta televizive me Prokuroren e Përgjithshme, nga etiketimet që ju u bëni punonjësve që mbrojtën rendin kushtetues të vendit si vrasës me dashje dhe që së shpejti do t`i shpallni vrasës me pagesë, as nga prishja e provave dhe zhdukja e dëshmive që faktojnë gjithçka rreth skenarit të 21 Janarit 2011”.