E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Indonezi, promovon Shqipërinë dhe lobon për Kosovën

Vizitë historike është cilësuar ajo e kryetares së kuvendit Jozefina Topalli nga homologu indonezian Marzuki Alie. Gjatë takimit me kreun e Parlamentit të Indonezisë palët e kanë cilësuar këtë takim një gur i rëndësishëm në raportet mes Shqipërisë dhe një vendi të madh si Indonezia.Gjatë qëndrimit të Kryetares së Kuvendit u zhvillua asambleja e PUIC ku merrnin pjesë një numër i madh parlamentarësh nga një pjesë e rëndësishme e vendeve të botës. Në asamblenë e PUIC, Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli promovoi mundësitë dhe resurset e Shqipërisë si një vend i bukur dhe me pozicion të veçantë gjeografik, jo vetëm për t`u vizituar nga turistë nga vendet me “emerging economy” por gjithashtu edhe si vend që ofron mundësi për investime nga këto vende në fusha të ndryshme me interes reciprok. Fokusi kryesor i fjalës së saj në këtë asamble ishte kërkesa ndaj atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës për ta bërë një gjë të tillë. Po ashtu në takimin me autoritetet më të larta të Indonezisë, Kryetarja Jozefina Topalli i këkoi këtij vendi të madh që të ushtrojë ndikimin e tij ndaj vendeve pjesëmarrëse, për të rritur numrin e atyre vendeve që kanë njohur pavarësinë e shtetit më të ri në botë, si një kontribut për paqen dhe stabilitetin. Ndërkaq kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shfrytëzoi vizitën e saj në Indonezi për t`u takuar me Kryetarin e Parlamentit të Arabisë Saudite, i cili pak kohë më parë bëri një vizitë në Shqipëri, si dhe Kryetarin e Parlamentit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ajo zhvilloi një takim me Kryetaren e Parlamentit te Pakistanit.Takime të veçanta, zonja Jozefina Topalli bëri dhe me Kryetarin e Asamblesë së Turqisë, z. Xhemil Çiçek. Po ashtu, Kryetarja e Kuvendit pati një takim me kryetarin e Parlamentit të Katarit, i cili pranoi me kënaqësi ftesën për të ardhur në Tiranë, jo vetëm në interes të shkëmbimeve parlamentare, por edhe me synimin për të eksploruar mundësitë për të pasur një prezencë më të madhe të biznesit dhe investitorëve te Fondit Financiar të Katarit në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›