Ristani: “Shpresoj të votohem me konsensus në Parlament”
Anëtari aktual i KQZ-së, Arben Ristani, i cili është favorit për postin e kryetarit të ri të KQZ-së, vlerëson propozimin e bërë nga PD-ja për emërimin e tij në këtë post dhe shpreson që gjatë votimit në Kuvend kandidatura e tij të marrë dhe votat e opozitës. “Në momentin që më propozuan që unë mund të isha kryetar i KQZ-së, zgjedhje që do të kalojë nga Parlamenti i Shqipërisë, pres që të votohem me konsensus midis forcave politike. Unë mendoj se për mua kjo do të thotë një besim i madh dhe një detyrë shumë e rëndësishme nga pikëpamja e përgjegjësive që çdo njeri duhet të ketë ndaj shoqërisë në të cilën jeton”, - është shprehur Ristani. Ai gjithashtu shprehet optimist për realizimin e një procesi zgjedhor sipas standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët. Ristani shprehet se zgjedhjet duhet të konceptohen si festë, pasi është i vetmi moment ku u jepet qytetarëve të thjeshtë e drejta për të vendosur dhe për të ndikuar drejtpërsëdrejti në rregullimin e jetës së tyre. “Unë zgjedhjet i konceptoj si festë, si i vetmi moment kur të gjithë njerëzit kanë mundësi të ndikojnë drejtpërsëdrejti për rregullimin e jetës së tyre. Nuk duhet marrë si moment lufte, por si një festë. Po të mendoni, është gjithë ky presion ndërkombëtar ndaj Shqipërisë që zgjedhjet të jenë të ndershme, të lira e të pavarura, si një test për anëtarësimin e saj në BE. Në këtë kuptim, nëse ato do të jenë të lira dhe do të jenë patjetër të tilla, do të tregojmë civilizim”, - është shprehur Ristani.
31 Janar 2009