E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i ri, projekti pa kosto ndërtimi

SHKRUAN: Fejzi Braushi 28-02-2011 10:54

Kuvendi i Shqipërisë nuk ka ende një kosto të përafërt për kompleksin e ri parlamentar që kërkon të ndërtojë. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga vet ky institucion, në përgjigjet që i ka dhënë studiove të arkitekturës, të cilat kanë vendosur të marrin pjesë në konkursin për projekt-idenë më të mirë, për ndërtesën e re të këtij kompleksi, që është parashikuar të ngrihet te Piramida. Vet Kuvendi ka publikuar në faqen e vet zyrtare në internet, korrespondencën me këto studio të cilat janë interesuar midis të tjerave edhe për shumën që shteti shqiptar ka ndërmend të harxhojë për këtë godinë. Interes ky që nuk ka marrë përgjigje, pasi nga specialistët e Kuvendit thuhet se ende nuk ka një kosto paraprake. Gjithashtu, nga kjo korrespondencë del se apartamenti që do të ndërtohet brenda kompleksit parlamentar, nuk do shërbejë për banimin e kryetares së Kuvendit, por vetëm për pritjen e delegacioneve.

Po japim disa nga pyetje-përgjigjet e shkëmbyera mes studiove dhe Kuvendit.

A është i detyrueshëm prezantimi i projektit në 3D dhe animacion?

Ne urojmë që ju ta paraqisni filmin në 3D, sepse përveç gjykimit teknik, që do të jetë nga juria e konkursit, të kemi dhe një gjykim nga publiku i gjerë, i cili ka vështirësi të njohë, kuptojë projektet tona, kurse paraqitja në 3D e lehtëson shumë. Në 3D do të jepen pamje në eksterier dhe interier sa të jetë e mundur brenda kohës dhe mundësive që ka çdo studio. Koha e filmit në 3D do të jetë 4 deri 5 minuta.

A duhet ta konsiderojmë garazhin si një strehim për sulmet ajrore?

Nuk është parashikuar në detyrën e projektimit.

A është e mundur të shpallet një buxhet për kostot e ndërtimit?

Jo, nuk ka një vlerë të tillë, por çdo konkurrues duhet të llogarisë vlerën e realizimit të projektit të tij.

Ka ndonjë plan për shërbimet shtesë si p.sh. sistemi i ujërave të zeza, linjat e gazit, tubacionet e ujit ...? A duhet që uji sanitar i ngrohtë të realizohet me korrent, gaz? Nëse punon me gaz, a mund të sugjerojmë një zone depozite apo linjat e gazit

ekzistuese në vend?

Në këtë fazë të projektit duhet të jepet vetëm ideja e realizimit të impianteve, sipas zgjidhjes së projektit.

Qendra e Re Parlamentare duhet të jetë e organizuar në tre blloqe. A është e detyrueshme të projektohen tre ndërtesa të ndryshme? A mund të mendojmë për një

kompleks të vetëm? A është mundësia që në të ardhmen të kërkohet një bashkim me

ndërtesat e tjera rrethuese, si p.sh. Kryeministria?

Ndarja në blloqe ka vetëm karakter ilustrues për detyrën e projektimit. Godina është unike; është një Kompleks i Ri Parlamentar. Zgjidhja vëllimore duhet të bëhet nga konkurrenti, në funksion të rëndësisë së Institucionit kryesor të shtetit.

Restorantet, a duhet të jenë të pajisur me një kuzhinë/secila apo mund të kenë një më të madhe të gjitha së bashku? A është mirë nëse mendohet për një shërbim furnizimi të ushqimeve nga jashtë?

Këto janë pyetje që do t’u përgjigjet zgjidhja konkrete e projektit.

Duke filluar nga të drejtat e shtypit dhe nevojave të transmetimit, cila është shkalla e transparencës/privatësisë së Punimeve Parlamentare ndaj Publikut? A jeni

dakord me zgjedhjet e Reichstag-ut si zgjidhje për hapësirën?

Këto janë pyetje që do t’u përgjigjet zgjidhja konkrete e projektit.

Nuk gjejmë asnjë referim ndaj hyrjes në parlament nëpërmjet helikopterit. A mund të parashikojmë një element të tille?

Këto janë pyetje që do t’u përgjigjet zgjidhja konkrete e projektit.

Rreth dhomës së Kryetares: a është një apartament i plotë me dhoma gjumi dhe dhoma ndenjeje, apo thjesht do të japë dreka dhe darka diplomatike?

Shih ndryshimin e bërë në detyrën e projektimit.

A ka kërkesa të veçanta për sigurinë?

Në kërkesat teknike që përfshihen në materialet e dërguara që kanë

vlerën e rekomandimeve ka një kapitull, ku flitet për sigurinë e mbarëvajtjes së funksionit të parlamentit. Në këtë fazë të projektit investitori mendon që të respektohen këto kërkesa të përgjithshme. Në fazat e mëvonshme, projekti do të zhvillohet edhe në konsultim me institucionet kompetente të shtetit shqiptar. Për sa i përket qëndrueshmërisë së strukturës së godinës, në detyrën e projektimit kërkohet që të merren parasysh kushtet klimaterike, si dhe rreziku sizmik i qytetit të Tiranës, për të cilat kemi informacionin e duhur në materialet e dërguara.

A do të banojë njeri në këtë ndërtesë?

Kryetari i Parlamenti të Shqipërisë nuk do të banojë në këtë apartament. Ai apartament do të ketë vlerën e një rezidence për miqtë e Parlamentit të Shqipërisë. Ky është apartament si çdo apartament tjetër, dhe banimi do të jetë i përkohshëm.

A ka kufi për modelin që do të prezantojnë?

Maketi si kufi do të ketë bulevardin “Bajram Curri” në pjesën veriore,

bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në pjesën perëndimore, godinën e Kryeministrisë

në pjesën jugore dhe rrugën “Papa Gjon Pali II” në pjesën lindore.

Kam një pyetje specifike, për sa i përket punonjësve të stafit janë 300, ne kemi numrin, por jo sipërfaqen për këta punonjës?

Kjo pyetje është e rëndësishme për sa i përket sipërfaqeve. Sipërfaqet e dhëna nga detyra e projektimit paraqesin kërkesat minimale të investitorit, të cilat janë të detyruara që të respektohen. Konkurrenti nuk mund t’i zvogëlojë ato. Numri I punonjësve të dhënë atje ka të bëjë me tepër me llogaritjen e ambienteve të shërbimit: të sanitareve, të tualeteve, të mensave. Në detyrën e projektimit është dhënë një listë e detajuar për çdo ambient.

Numri 300 që keni dhënë për punonjësit, është një numër i përgjithshëm?

Të gjitha ambientet janë listuar dhe çdo ambient ka sipërfaqen e tij.

Nuk ka lidhje numri i punonjësve domosdoshmërish me ambientet, sepse numri i

punonjësve dhe këtu është fjala për punonjësit e shërbimit të Parlamentit, nuk ka

lidhje me zyrat. Ne kemi sot 222 punonjës, ne te ardhmen parashikohen rreth 300 punonjës, por kemi parashikuar 200 zyra për stafin. Jo çdo punonjës punon në zyrë, punonjësit e shërbimit nuk kanë nevojë për zyrë. Ky thotë se këto të dyja nuk lidhen, prandaj për projektimin (layout-in) e çdo pjese të godinës, duhet të keni parasysh listën e secilit mjedis që është dhënë me sipërfaqet përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›