E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Luan Skuqi: Topalli Presidente e Republikës

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Skuqi, ish-ministër i Arsimit dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së që nga themelimi i saj në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare” mbështet hapur kandidaturën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli për postin e Presidentit të Republikës.
Z.Skuqi, ndryshe nga pak kohë më parë, aktualisht duket se PD-ja ka bërë “armëpushim” me presidentin Bamir Topi, me të cilin ka një konflikt të hapur prej kohësh me të? Ç’po ndodh realisht?
Partia demokratike nuk i ka ulur armët ndaj z.Topi sepse nuk i ka pasur armët ngritur ndaj tij. Kjo parti, që e kishte z.Topi nënkryetar dhe kryetar grupi, bëri të gjitha përpjekjet që ai të zgjidhet President i Republikës, duke i garantuar njëkohësisht një mbështetje politike dhe institucionale, me qëllimin e vetëm të kryerjes nga ana e tij të kësaj detyre me dinjitet dhe paanësi. Të gjitha rezervat e shprehura nga PD-ja nuk kanë të bëjnë me qytetarin Topi por me veprimtarinë e Presidentit Topi, e cila në mënyrë të dukshme ka qenë refuzuese ndaj bashkëpunimit me mazhorancën dhe më tej akoma ka synuar të dëmtojë këtë mazhorancë dhe reformat duke bashkëpunuar ngushtë me z.Rama për qëllime të ndarjes së pushtetit. Ishte detyrë e PD-së që të qartësonte opinionin publik për këtë veprimtari, e cila kulmoi me ngjarjet e 21 janarit dhe tashmë po kurorëzohet me krijimin e një partie të re politike me seli në presidencë përkrah z.Rama kundër PD-së e Sali Berishës. Besoj gjërat tashmë janë të qarta për këdo.
Gjithsesi, sulmi i nisur ndaj z.Topi duket se lidhet me frikën se përmes krijimit të partisë së re ai do të dëmtojë mazhorancën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare...
Siç ju thashë më sipër, nuk ka pasur e nuk ka sulme ndaj emrit Topi, por qëndrime të qarta ndaj veprimeve të Presidentit Topi, i cili tashmë me një parti të re de facto, akoma pa lëshuar postin, në shkelje të Kushtetutës e betimit si president, po përpiqet të përmbushë detyrat e fundit të marrëveshjes me Z.Rama për ndarje të pushtetit, gjë që s’do ta arrijë kurrë.
Ka të drejtë presidenti kur thotë se PD-ja dhe qeveria nuk kanë bërë asgjë në drejtim të ish-të përndjekurve politikë dhe ish- pronarëve legjitimë?
Të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët kanë qënë dhe mbeten mbështetësit më të fuqishëm të PD-së dhe pjesa e saj më e qenësishme. Unë nuk dua të rendis këtu të gjithë listën e masave, vendimeve, ligjeve dhe përkujdesjeve që ka bërë dhe vazhdon të bëjë PD-ja gjatë viteve të qeverisjes së saj, për të kuruar dhe lehtësuar dhimbjet e plagëve të rënda dhe shpesh të pariparueshme që u ishin shkaktuar të përndjekurve politikë dhe pronarëve nga regjimi i bllokut, pasardhësit e të cilëve sot përbëjnë një pjesë të mirë të lidershipit socialist. Meqenëse kjo që thashë më sipër përbën një temë më vete, unë po shprehem shkurtimisht për atë çka ju më pyetët. Shqetësimin dhe vlerësimin e tij për këto shtresa të vuajturish z.Topi e ka shprehur qartë kur ka dekoruar xhelatët e tyre.
PD-ja e ka akuzuar në mënyrë të vazhdueshme z.Topi për marrje ryshfeti në këmbim të emërimeve, por a do të kërkojë PD-ja një hetim parlamentar ndaj korrupsionit presidencial?
Është e njohur publikisht, se mjaft emërime në sistemin e drejtësisë janë bërë mbi baza preferenciale klanore dhe interesi. Vetë ky sistem vuan në mënyrë të vazhdueshme nga fenomene të dëmshme e korruptive dhe në këtë drejtim përgjegjësia kryesore bie mbi presidentin, i cili ka lejuar apo frymëzuar një sjellje të tillë. Për çështje të tjera të korrupsionit duhet të flasin organet kompetente.
Presidenti është kundërpërgjigjur se në qeveri dhe parlament ka ish-sigurimsa të shtetit. Sipas jush, ka të tillë në mazhorancën e djathtë? Ju a jeni për hapjen e dosjeve?
Unë mendoj se vendi ka nevojë për një ligj lustracioni, i cili do ndihmojë për një shëndoshje morale të shoqërisë, si dhe do të plotësojë një nevojë historike për një problem kaq të ndjeshëm. Ndërkohë, ky ligj do të vendosë fre ndaj çdo spekulimi që bëhet me problemin e dosjeve. Kjo mazhorancë, sa herë ka pasur mundësi, domethënë sa herë ka pasur numrat në parlament, ka aprovuar ligje për hapjen e dosjeve, siç ishte dhe ligji i fundit i cili u sulmua ashpër nga opozita dhe nuk u dekretua nga z.Topi. Se kush i druhet hapjes së dosjeve besoj se nuk është e vështirë të kuptohet. Për sa u përket akuzave për dosje ndaj ministrave dhe deputetëve, ato tentojnë të bëjnë vetëm mjegull në dobi të atyre që luajtën rolin e xhelatëve, të cilët në këtë lojë të pandershme përpiqen të paraqesin si të pisët krejt shoqërinë shqiptare.
Pas ikjes së Gazmend Oketës nga PD-ja, mendoni se do të ketë largime të tjera nga grupi parlamentar i PD-së?
Ne jemi një parti liberale në një vend të lirë demokratik dhe për pasojë ikjet dhe ardhjet janë të natyrshme. Nuk mendoj se në grupin tonë parlamentar do të ketë largime të tjera pas z.Oketa.
Me afrimin e zgjedhjes së presidentit të ri, po përfliten shumë emra, drejtues të PD-së për pasardhësin e Topit. Sipas jush, kush duhet të ulet në karrigen e presidentit të ri?
Sipas meje, në karrigen e presidentit duhet të ulet një personalitet i shquar, autoritar, që plotëson kushtet ligjore dhe politike. Sigurisht, zgjedhja do bëhet sipas Kushtetutës.
Si e shikoni kandidaturën e z.Berisha për një rikthim në presidencë?
Z.Berisha i është përgjigjur vetë kësaj pyetjeje.
Po të znj.Jozefina Topalli për kryetare të re të shtetit? Do ta votonit Fatos Nanon president dhe a e shikoni si një figurë presidenciale?
Znj.Topalli ka staturën politike, morale dhe autoritetin për të kryer çdo detyrë, përfshirë dhe atë të presidentit.
Z.Nano nuk e shoh si të përshtatshëm për president.
Në PD po hyjnë aq shumë njerëz të rinj vitet e fundit, saqë nganjëherë të krijohet përshtypja se PD-ja po largohet nga identiteti i saj politik. I kanë mbaruar PD-së vlerat e saj?
Partia Demokratike është një parti e madhe, e cila ka qënë dhe mbetet promotore e reformimit të të gjithë jetës së vendit. Nën drejtimin e saj vendi është transformuar politikisht, ekonomikisht, si dhe ka ndërtuar një demokraci funksionale. PD-ja në pushtet ka bërë të mundur që sot të kemi një Shqipëri krejt tjetër, më moderne, me standarde dhe më afër Europës. Në këtë kuptim, futja në mënyrë të vazhdueshme në PD e njerëzve të rinj, specialistëve dhe profesionistëve të aftë është një nevojë e domosdoshme e çdo partie, janë energjia që shtyn përpara reformat, prandaj këto prurje të reja jo vetëm nuk e largojnë Partinë Demokratike nga identiteti i saj politik, po e forcojnë këtë identitet të saj, si parti e reformave zhvilluese dhe integruese. Një parti e suksesshme si PD-ja nuk mund të konceptohet si një listë e mbyllur emrash, por si një organizëm i gjallë që zgjerohet gjithnjë drejt vlerave dhe arritjeve dhe në këtë kuptim ajo përmbledh brenda saj mjaft vlera, por pa u mjaftuar kurrë.
A i ka braktisur PD-ja militantët dhe qëndrestarët e saj përgjatë 7 viteve në pushtet?
Militantët dhe qëndrestarët janë një pasuri e madhe për PD-në. Mendimi im është se sado që të kujdesemi për ta gjithmonë mbetemi defiçitarë.
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu është shprehur se Lulzim Basha është një yll në ngjitje në politikën shqiptare. Sipas tij, politikës i duhet një gjak i ri si Basha tek PD-ja dhe Blushi tek PS-ja? Si e shikoni këtë deklaratë të diplomatit të SHBA-ve?
Siç u shpreha më sipër, çdo vlerë e spikatur që ofrohet në partitë politike është një ngjarje pozitive jo vetëm për partitë, por edhe për vendin duke i konsideruar ato si asete kombëtare. Prandaj me të drejtë zoti ambasador veçon z.Basha, ish-ministër i qeverisë Berisha dhe sot kryetar i Bashkisë Tiranë, si një figurë e re që shkëlqen në politikën shqiptare. Nuk dua të spekuloj dhe të keqpërdor fjalët e ambasadorit por nuk mund të lë pa nënvizuar një detaj të rëndësishëm të kësaj deklarate. Të dy këta politikanë të rinj kanë një gjë të përbashkët midis tyre. Z.Basha së fundmi arriti suksesin më të rëndësishëm politik duke mundur në betejën për kryeqytetin z.Rama, ndërsa z.Blushi arriti popullaritetin e tij më të madh si kritizeri i z.Rama.
Prej kohësh flitet për trashëgiminë politike të z.Berisha në PD. Kur dhe kë shikoni në krye të PD-së?
Z.Berisha është kryetar i PD-së dhe kryeministër i Shqipërisë. Si politikani më i aftë, serioz dhe i suksesshëm mendoj se do të vazhdojë gjatë të jetë kryetar i PD-së dhe kryeministër i vendit.
Brenda PD-së herë pas here dalin në pah klane të ndryshme brenda saj, por sa e kanë dëmtuar ato partinë në pushtet duke i shërbyer interesave klanore?
Nuk mendoj se në PD ka klane që funksionojnë si të tilla duke deformuar veprimin politik dhe institucional të saj dhe për pasojë duke e dëmtuar në funksionim dhe alternativa. Ekzistenca e rrymave, lobingjeve apo diversiteteve e pasurojnë më shumë një parti politike, pra edhe PD-në, duke mos lejuar lulëzimin e klaneve.
Mendoni se duhen bërë ndryshime në qeveri? A është normale që ministrat të qëndrojnë në të njëjtin post për 6 vjet me radhë, në vend që të riciklohen me emra të tjerë?
Nuk mendoj se një ministër mund të gjykohet me vite në drejtimin e dikasterit por me punën dhe arritjet e tij. Ndryshimet e emrave nuk mund të jenë qëllim në vetvete, ndërsa korrigjimet sipas mendimit tim në çdo kohë janë të nevojshme. Gjithsesi, ndryshimet në qeveri janë çështje e kryeministrit.
Flitet që disa ministra kane krijuar pasuri marramendëse duke abuzuar me detyrën. Cili është mendimi juaj në këtë rast?
Nuk mund të komentoj mbi bazë thashethemesh dashakeqe. Me çështje të tilla duhet të merren organet përkatëse.
Sa e kanë dëmtuar qeverinë akuzat e opozitës për korrupsion?
Si çdo akuze false edhe akuzat e pabazuara dhe qëllimkeqe të opozitës bëjnë të kundërtën.
A e ktheu PD-në aleanca me LSI-në majtas dhe a i trembeni një “pabesie” të Ilir Metës në zgjedhjet e 2013-ës për një aleancë të re me Edi Ramën që do e kalonte të djathtën në opozitë?
Politika është kompromis. Mendoj se aleanca me LSI dëshmoi se ishte e duhura, e suksesshme dhe në dobi të vendit. Nuk shoh asnjë arsye për të prishur një aleancë që është dëshmuar fituese dhe premtuese edhe për të ardhmen.
Si e shikoni politikën aktuale të Edi Ramës dhe ambicien e tij për kryeministër të ri të vendit?
Politika aktuale e Ramës ka qartësisht shenjat e sjelljes së një njeriu të sigurtë në humben e tij. Me këtë bindje ai u përpoq të realizojë ëndrrën e tij kryeministrore përmes dhunës së 21 Janarit. Pas këtij dështimi, z.Rama u mbyt në mënyrë dëshpëruese në taksën progresive derisa së fundmi ka rrëmbyer si gomë shpëtimi partinë e z.Topi. Të gjitha rrugët përfundimisht e çojnë në humbje.
I trembet PD-ja humbjes në zgjedhjet e 2013 edhe për faktin se 8 vite në pushtet mund ta kenë konsumuar atë?
Të qënurit për 8 vite në pushtet për Partinë Demokratike ishte një përvojë e madhe pune të suksesshme, por edhe një mundësi akoma më e madhe korrigjimi. Këto 8 vite nuk ishin vite të zbrazëta, por vite të mbushura me ngjarje e zhvillime madhore, të konsideruara të tilla jo vetëm për Shqipërinë si një vend i vogël e me zhvillim të vonuar, por edhe për një vend të madh e modern.
Shqipëria gjatë viteve të qeverisjes Berisha ka shënuar anëtarësimin e plotë në NATO si dhe heqjen e vizave, duke realizuar kështu për qytetarët e saj një ëndërr shekullore. Këto arritje nuk erdhën në mënyrë të papritur por ishin rezultat i përpjekjeve serioze të qeverise, parlamentit dhe administratës publike, duke shfaqur jo vetëm një vullnet politik të mazhorancës por dhe nivelin e standarteve qe ka arritur shoqëria dhe shteti shqiptar. Në këto vite u ulën taksat, u rritën pagat, të ardhurat, u luftua me 0 tolerancë korrupsioni, duke bërë të mundur që sot të kemi një Shqipëri me infrastrukture moderne, të dixhitalizuar dhe më pranë Europës. Për të gjitha këto dhe mjaft arritje të tjera në arsim, shëndetësi, turizëm, bujqësi, mendoj se zgjedhjet e 2013-ës do shënojnë fitoren më të madhe të PD-së të shënuar në vite.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›