E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD Me 26.000 ankesa ne vit Bashkia e Tiranes e para ne liste nga institucionet

Bashkia e Tiranës është institucioni që zë vendin e parë në listë përsa i përket numrit të ankesave që merr brenda një viti nga qytetarët.

Kështu u shpreh sot deputeti demokrat, Gerti Bogdani, i cili iu referua një studimi të Qendrës së Studimeve Parlamentare të publikuar në vitin 2009, ku jepet shifra e peticioneve të dërguara nga qytetarët në institucionet shtetërore, del se pranë bashkisë së Tiranës janë regjistruar 26.000 ankesa në vit.

Ky numër ankesash është më i larti, nëse e krahason me numrin e ankesave të depozituara pranë presidencës 2500, KLD, 2101 ankesa, Avokati i Popullit 4.000 etj.

Vetëm në 1 vit, qytetarët e Tiranës ankohen më shumë se të gjithë qytetarët e republikës për hallet e tyre dhe presin që Bashkia e Tiranës t’u japë zgjidhje.

Ankesat janë të llojeve të ndryshme, që nga ato të ambasadorëve apo diplomatëve për prishje të qetësisë publike nga muzika e lartë e lokaleve të natës apo zhurma mjeteve të transportit, deri tek ankesat e pafundme për prishje pronash apo shtëpish.

Sipas Bogdanit, plot 732 është numri i padive të depozituara në Gjykatën e Tiranës nga qytetarët kundër Bashkisë së kryeqytetit: janë qytetarë apo edhe firma të ndryshme, të cilat pretendojnë se janë cenuar padrejtësisht nga kryetari Edi Rama, në emër të Bashkisë dhe kërkojnë miliona lekë dëmshpërblim për prishjen e pronave, shtëpive dhe bizneseve të tyre.

Madje, përfaqësuesit ligjorë të bashkisë as nuk denjojnë të paraqiten në gjyqe duke i injoruar dhe përbuzur për të disatën herë qytetarët, të cilët meritojnë respekt dhe vëmendje.

“Kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më! Ne kemi nevojë për një kryebashkiak që të kujdeset për qytetarët dhe të përpiqet të zgjidhë problemet e tyre, jo për një kryebashkiak që ka në fokus ka vetëm betejën politike kombëtare”, tha Bogdani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›