PD: Miliarderët e PS, frikë nga drejtësia

Zëdhënësja e PD-se, Silvi Bardhi
Partia Demokratike akuzoi dje deputetët e Grupit Parlamentar socialist se nuk heqin imunitetin nga frika prej drejtësisë. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi, në një konferencë për shtyp tha se Edi Rama dhe deputetët socialistë kanë frikë nga drejtësia, ligji dhe zbatimi i tij e për këtë arsye bllokuan heqjen e imunitetit dhe statusin e vendit kandidat për Shqipërinë për të tretin vit radhazi. E vërteta absolute është se miliarderët në krye të Partisë Socialiste dhe zoti Rama nuk mund të pranojnë kurrë të heqin imunitetin, sepse tmerrohen nga pasuritë e tyre të paligjshme, origjina e tyre nga fshehja e taksave, kontrabanda, grabitja e trojeve dhe pronave të të tjerëve, ndërtimet pa leje dhe trafiqet kriminale, tha zëdhënësja e PD-së. Sipas saj, ishte Pandeli Majko gjatë një takimi me të rinjtë që shprehu shqetësimin e vërtetë të socialistëve. Dy ditë më parë, në një takim me të rinjtë eurosocialistë në Jalë, ish-kryeministri Pandeli Majko zbuloi para shqiptarëve shkakun e vërtetë të bllokimit më datë 6 gusht nga Edi Rama të heqjes së imunitetit dhe bllokimit të statusit të vendit kandidat. Pyetjes së njërit prej të rinjve se përse Partia Socialiste bllokoi më datë 6 gusht heqjen e imunitetit dhe statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, z. Majko iu përgjigj se Partia Socialiste nuk mund të pranojë heqjen e imunitetit për faktin se këtë e pranojnë ministrat, të cilët sipas tij paskan të tyre gjykatësit dhe prokurorët, shtoi Bardhi. Kryesocialisti Edi Rama reagoi nga Twitteri pas deklaratave të Partisë Demokratike, sipas të cilës PS do bëjë gjithçka për të mos votuar heqjen e imunitetit, pasi do të fshehë pasuritë e paligjshme. Për kreun e PS, këto deklarata janë tallje me shqiptarët, ndërsa ai i bën një ftesë të hapur Kryeministrit të hetojë për të, pasi Rama nuk ka as imunitet. Ai thotë se: Vazhdon tallja me shqiptarët! Një propozim publik për KM: Ja ku jam unë pa imunitet, vërteto një akuzë të vetme në mijëra që ke bërë ndaj meje. Rama shton se Kryeministri nuk mund të vërtetojë akuzat ndaj deputetëve të PS. Asnjë provë nuk ka Kryeministri as për tërë atë lumë akuzash ndaj deputetëve të PS që vijnë nga bota e sipërmarrjes! Imuniteti ska lidhje në këtë mes. Asnjë vend normal sdo e pranonte një ditë të vetme për Kryeministër një shpifës që çdo ditë ngre akuza në hava ndaj opozitës e svërteton dot asnjë, vijon deklarata e tij.