Majko: Debati për imunitetin, jo për ndershmërinë e politikës

Pandeli Majko
Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, reagoi menjëherë dje pas deklaratës së bërë nga selia e Partisë Demokratike lidhur me frikën e deputetëve socialistë për heqjen e imunitetit. Në profilin e tij në Facebook, Majko shkruan se akuzat e PD janë kthyer në humor gushti, që nuk i shërbejnë askujt. Tri ditë pas takimit që pata në Jalë me anëtarët e FRESSH-it, Partia Demokratike ka dalë me deklaratë zyrtare. Ajo shpjegon se çfarë u kam thënë miqve të mi eurosocialistë dhe pse PS nuk do të pranojë heqjen e imuniteteve…(!?) Ka kohë që linja zyrtare e qeverisë merr përsipër të shpjegojë se çfarë thonë dhe mendojnë përfaqësuesit e opozitës. Ky humor gushti nuk i shërben askujt dhe për asgjë, veç pushuesve kuriozë për hungërimat nga kopshti zoologjik i politikës në Shqipëri!, shkruan Majko. Duke u përgjigjur për çështjen e imunitetit, Majko shkruan se PS nuk ka kundërshtuar kufizimin e imunitetit për deputetë dhe zyrtarët e lartë. Debati për imunitetin nuk është debati që do të verifikojë ndershmërinë e politikës. Ndarja që i ka bërë kësaj historie linja zyrtare e PD, është se – Kush ka frikë nga heqja e imuniteteve është i pandershëm!?… Dhe kush është trim, është i ndershëm! Qëndrimi PRO ndryshimeve kushtetuese për imunitetet asnjëherë nuk është vënë në dyshim nga Partia Socialiste apo dikush brenda saj. Të tjerat janë fjalë, për eja bëjmë sikur zihemi për ndershmërinë e politikës. Kjo histori po kthehet në atë për çfarë u nis. Ajo është kthyer në një fushatë zhurme dhe tërheqje të vëmendjes nga problemet reale me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare, shkruan Majko në adresën e tij në Facebook.