E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Mustafaraj: Edi Rama, maskaradë kundër institucioneve demokratike

27-06-2011 / Gazeta 55

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Albana Mustafaraj deklaroi sot se në një komunikim me mediat nga selia blu se, zgjedhjet vendore të 8 majit ishin të lira dhe transparente, sikurse e tregoi pjesëmarrja rekord prej 1 milionë e 600 mijë qytetarë, duke bërë që zëri i tyre të dëgjohej me këtë pjesëmarrje masive. Mustafaraj tha se nga ana tjetër, Partia Socialiste dhe Edi Rama, vazhduan me paraqitjen e akuzave të pabaza dhe sërish me kërcënime ndaj institucioneve të pavarura. Në deklaratën e saj thuhet se “sot vijoi maskarada e z.Rama për të errësuar procesin zgjedhor. Të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë se këto zgjedhje ishin të ndershme, të lira, transparente dhe zgjedhjet më të mira që janë bërë në Shqipëri, ku gjithçka u shpalos drejtpërdrejt në ekran. Në këto zgjedhje në rang vendi morën pjesë rreth 1milionë e 600 mijë qytetarë duke bërë që zëri i tyre të dëgjohej, një pjesëmarrje rekord kjo përsa i përket zgjedhjeve lokale, por edhe të përgjithshme. Më shumë qytetarë votuan për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” në Tiranë, por më e rëndësishme se kjo, është fakti se u dëgjua zëri i çdo qytetari. Sot, cirku i z.Rama vazhdoi me paraqitjen e akuzave të pabaza dhe sërish me kërcënime ndaj institucioneve të pavarura. Z.Rama e quan veprimin e KQZ të paligjshëm, ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u urdhërua të numëronte dhe shqyrtonte votat nga Kolegji Zgjedhor, si rezultat i kërkesës ligjore që bëri vetë z.Rama”- u shpreh Mustafaraj.
Zëdhënësja e PD-së gjithashtu shtoi se “tani, nga dëshpërimi përballë humbjes, z.Rama po kërkon të mbysë jo vetëm zërat e atyre që hodhën votën gabimisht, por të të gjithë qytetarëve të tjerë. Kjo nuk është e drejtë, por gabim”, duke e mbyllur me dy pyetje deklaratën e saj: “Përse kërkon z.Rama të mbysë zërin e qytetarëve? Përse z.Rama nuk pranon rezultatin e Demokracisë?”- përfundoi ajo.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›