E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhje te pavlefshme opozita dorezon kerkesen ne KQZ

Socialistët kërkojnë shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 QV. Po ashtu, në ankimimin e depozituar në orën 15:00 në KQZ dhe autorizuar nga Fatmir Xhafaj, selia rozë kërkon gjithashtu anullimin e vendimarrjes së 25 qershorit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që shpalli fitues Lulzim Bashën me 93 vota.

“Rezulton se janë 284 qendra votimi për të cilat duhet të deklarohet pavlefshmëria e zgjedhjeve dhe nisur nga diferenca e rezultatit midis kandidatëve dhe numri i zgjedhësve që kanë votuar në këto qendra pasoja në ndarjen e mandateve në këto QV është e padiskutueshme”- thuhet në ankimim.

Në tabela, thuhet në ankimimin 9 faqësh, rezultojnë mospërputhje të rënda të numrit të votuesve me fletët e gjetura në kuti, dhe kjo jo si pasojë e një gabimi njerëzor. Shkeljet kanë ndikuar në mënyrë evidente në përcaktimin e kandidatit fitues.

“Në shumë qendra votimi rezulton se mungojnë fletë votimi, ndërkohë që sipas listës së zgjedhësve ka më shumë zgjedhës që kanë votuar. Diferenca ndërmjet fletëve të gjetura në kuti dhe numrit të zgjedhësve për bashkinë e Tiranës është 870 fletë votimi më shumë se zgjedhës, ndërkohë që shuma e fletëve të votimit të vlefshme me ato të pavlefshme krahasuar me numrin e zgjedhësve është 244 fletë votimi të numëruara e të përfshira në rezultat më shumë se numri se numri i zgjedhësve”-theksohet më tej.

Rreth 35 % të kutive u konstatuan sipas selisë rozë dhe dokumentuan probleme serioze të integritetit dhe sigurisë së tyre, gjë që vendos në pikëpyetje të drejtëpërdrejtë integritetin e materialit zgjedhor dhe për rrjedhojë bazueshmërinë dhe ligjshmërinë e vetë vendimit të KQZ-së. Pas marrjes në shqyrtim të kësaj ankese nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, socialistët kanë 5 ditë të tjera kohë për t’iu drejtuar Kolegjit.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›