PD: Nuk do lejojmë që Rama të bllokojë referendumin
Partia Demokratike deklaron se opozita jo vetëm po bllokon statusin e kandidatit, por po bllokon edhe referendumin për heqjen e imunitetit.
Zëdhënësja e kësaj partie, Silvi Bardhi, tha se Edi Rama është i tmerruar nga zëri i qytetarëve.
Nga data 6 gusht e në vazhdim, kryetari i Partisë Socialiste dhe zëdhënësit e tij, të tmerruar nga zëri i qytetarëve për heqjen e imunitetit, deklarojnë çdo ditë se do të bllokojnë referendumin, apo sipas tyre, vendimi për mbajtjen e tij kërkon miratimin me 2/3 nga Kuvendi dhe ata do të bllokojnë në Parlament, pra, nuk do të japin votat, madje dhe kërcënojnë në mënyra qesharake, se po u thirr referendumi për heqjen e imunitetit nga mazhoranca, Partia Socialiste do të thërrasë katër referendume. Nervozizmi dhe paniku u rritën shumë pas botimit të pasurive të politikanëve nga ILDKP, nga të cilat dolën në dritë pasuritë përrallore të krijuara gjatë viteve imunitare, kupolë e miliarderëeve të Partisë Socialiste, tha zëdhënësja e PD.
Nga të dhënat e ILDKP-së rezulton se vetëm njërit prej anëtarëve të klubit të miliarderëve, dhe konkretisht Fidelit të Partisë, i kishin dhuruar ndër të tjera tre apartamente në qendër të Tiranes me vlerë rreth një milion euro apo vetëm nga dividenti i një klubi ku është aksionar me të tjerë. Ylli i miliarderëve të Partisë Socialiste ka përfituar gjysëm milioni euro. Me fshehjen nëpërmjet imunitetit të pasurive të paligjshme, është dhe shkaku kryesor arsyeja themelore se përse z.Rama dhe kupola e miliarderëve të Partisë Socialiste, Fidelët e partisë nuk munden të votojnë kurrë për heqjen e imunitetit.
PD vijon të citojë një nen që thotë se u jep të drejtë të thërrasin referendum, por nuk bëhet fjalë për nenin e votimit të amendimeve kushtetuese.
Partia Demokratike i thotë z. Rama se e drejta për thirrjen e referendumit është e drejtë kushtetuese e qytetarëve, parlamentarëve dhe qeverisë së vendit, sanksionuar në nenin 150 të Kushtetutës së vendit. Çdo përpjekje për bllokimin e saj është e dështuar dhe do tiu rikujtojë qytetarëve betejat e Don Kishot-it me mullinjtë e erës.
